Gazetari Klevin Muka, i ftuar në programin e drekës në News 24 i është kundërpërgjigjur kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla duke thënë se ai që bën thirrje të mos goditet policia para shumë vitesh e ka bërë vetë këtë gjë, duke nënkuptuar demonstratën e “21 janarit”.
Ai tha se eksponentët e qeverisë po përpiqen të gënjejnë publikun duke manipuluar pamjet për pjesëmarrjen masive në protestë.
“Personat që bëjnë thirrje se po ngrihet dora ndaj policisë, para 13 vitesh kërcënin mbi efektivët dhe mimikat e tyre janë bërë meme dhe kanë mbetur edhe sot. Nuk mund të flasësh për legjitimitet moral kur para 13 vitesh ke bërë të njëjtën gjë. Është ulur besueshmëria dhe janë delegjitimuar. Kanë nisur përpjekjet për të manipuluar opinionin publik, për pamjet jo të vërteta që nxjerrin me dron, ndërkohë që qytetarët e shohin sa njerëz ka aty dhe marshimi ka masivitet të madh – nuk mund t’i hedhësh hi sy njerëzve kur virtualiteti është i aksesueshëm nga të gjithë. Nuk e di si e marrin guximin ta bëjnë dhe prap s’e kanë për gjë kur njerëzit iu kthehen kundër, kanë mbyllur komentet, në parlamente iu shmangen qytetarëve. Çfarë kuptimi ka të jesh përfaqësues kur nuk merr guximin të takosh ata që përfaqëson”, tha ai.
