Sot është ditae 17-të të protestës masive që zhvillohet në Tiranë. Mjeku dhe protestuesi Ermal Pashaj i ftuar në programin e drekës në News24, ku ka shpjeguar arsyet që e shtyjnë atë dhe qytetarët e tjerë të dalin në shesh.
Pashaj ngriti alarmin për situatën ku ndodhet vendi, duke theksuar se Shqipëria po bën regres në demokraci dhe se qytetarët përballen çdo ditë me vështirësi nga më banalet.
“Duket sikur po bëjmë regres në demokraci dhe kemi mungesë drejtësie. Po shohim të vështirë aplikimin e përditshmërisë, gjetjen e një rrugëzgjidhje për investimet minimalist familjare. Në ditën e përditshme duhet të ndeshem me problematikat më banale për të arritur te qëllimi i punës dhe rikthimi në familje. Kjo është e vështirë për 1000 arsye, që nga siguria ushqimore te ndërtimet. Kemi parë se ka fenomene të pashpjeguara”, u shpreh mjeku.
Mjeku Pashaj pranoi hapur se ka tentuar të largohet nga Shqipëria, por vendosi të kthehet për shkak të familjes dhe dëshirës për t’i rritur fëmijët në atdhe, duke e cilësuar ikjen e masive të të rinjve si një “tragjedi”.
“Unë kam tentuar edhe të iki nga Shqipëria. Por mentaliteti evropian nuk është mentaliteti ynë. Nuk mund të lejoj fëmijën tim të indoktrinohet nga filozofia e një shteti tjetër. Nuk mund të nënshtrohemi kështu. Unë fëmijën e bëj dhe e dua këtu. Tragjedia që prindërit tanë i bënë fëmijët dhe nuk i gëzuan dot… Unë dua që fëmijët e mi t’i kem këtu nesër, që të më varrosin. Këto janë makabritete. Janë situata të patolerueshme sepse prekin shpirtin”, tha Pashaj.
Ai theksoi se rinia shqiptare është e qytetëruar dhe nuk mund “t’u hidhet hi syve” për situatën në Shqipëri.
