Shkëlzen Bushi, një nga protestuesit e shoqëruar nga policia pas protestës së zhvilluar një ditë më parë para Parlamentit, ka dhënë versionin e tij për ngjarjet, duke pretenduar se tubimi nisi në mënyrë paqësore, por përfundoi me dhunë dhe ndërhyrje të forcave të rendit.
Në një intervistë nw News24, Bushi deklaroi se protesta gëzon mbështetjen e rreth 80% të shqiptarëve, ndërsa pjesa tjetër, sipas tij, përbëhet nga “patronazhistë”.
Duke folur për përplasjet me policinë, ai pretendoi se dhuna e ushtruar ndaj protestuesve, ndonëse e padëshiruar, i ka shërbyer protestës.
“Dhuna na shërbeu pa dashje. Pa u flijuar dikush, kjo protestë nuk do ta merrte kuptimin e brendshëm. Aty u flijuam gjashtë persona. Këta duan gjak. Nëse duan gjak, le të flijohet një ose dy jetë. Ne nuk kishim diskutuar asgjë paraprakisht”, u shpreh Bushi.
Sipas tij, protesta nisi me veprime simbolike, si hedhja e vezëve dhe miellit ndaj godinës së Parlamentit, me synimin për të shprehur pakënaqësinë ndaj deputetëve.
“Po prisnim që deputetët të dilnin nga Parlamenti për t’i goditur me vezë dhe miell, si një mesazh simbolik për t’u treguar se nuk jemi dakord me atë që po bëjnë. Ndërkohë, gjatë gjithë kohës shtoheshin forcat policore dhe ngushtohej kordoni i sigurisë”, tha ai.
Bushi tregoi se në një moment një grup protestuesish u përplas me policinë pranë hyrjes së Parlamentit dhe se ai, bashkë me disa persona të tjerë, krijuan një kordon njerëzor mes policisë dhe protestuesve për të shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ai pretendoi gjithashtu se në protestë mund të kenë qenë të infiltruar persona me qëllim provokimin e incidenteve.
“Nuk e dimë kush ishte aty. Mund të ketë pasur edhe persona që janë futur mes protestuesve vetëm për të provokuar situatën”, deklaroi ai.
Sipas Bushit, ai u përpoq të ndante protestuesit nga efektivët e policisë për të shmangur përplasjet fizike, por pretendon se u godit dhe u arrestua.
“Shkova për t’i ndarë, që të mos kishte gjakderdhje. Në atë moment një polic më goditi, më pas më kapën për flokësh, më futën brenda kordonit dhe më rrahën në tokë”, tha Bushi.
Ai shtoi se, pas ndalimit, qëndroi për rreth pesë orë në komisariat dhe theksoi se nuk ndihet i frikësuar, por se shqetësimi i tij i vetëm është që protestuesit të mos tërhiqen nga pjesëmarrja në tubimet e ardhshme.
