Naftëtarët e Ballshit zhvilluan ditën e sotme protestën e tyre përballë uzinës së rafinerisë së naftës në Ballsh. Të revoltuar ata kërkuan të hyjnë në ambientet e brendshme të uzinës, në mënyrë që të marrin librezat e tyre personale të punës.

Një ndër protestuesve në një prononcim për FaxNeës u shpreh i revoltuar ndaj politikanëve dhe pasurive të tyre, ndërkohë që sipas tij naftëtarët luftojnë për bukën e gojës.

“Do futemi aty, të vijë pronari. Të na japi liberzat. Kryeministri të mos dali në studio e të thotë mos u mërzisni. Çi duan nga 3 milion lek ata depuetë atje. Çi duan ata ato lekë. Turpi do t’i mbulojë. Turpi do t’i mbulojë.

Nuk e di pse i doni këto vila dhe këto pallate, nuk e di mor zotni ku i çoni. Përse i doni o burrë? Po një jet keni, nuk e hani dot një viç t’ua u therrin, nuk hani dot 50 mijë lekë në një ditë e jo të hani 500 milionë”.- tha një prej naftëtarëve.

Gjatë tubimit të ditës së sotme munguan forcat e policisë, ndërkohë që perimetri i jashtëm i rafinerisë u u ruajt nëpërmjet të policisë private të kontraktuar nga kompania. Ajo që ra në sy gjatë protestës së sotme është përkrahja që u është bërë naftëtarëve nga sindikata e fermerëve të zonës. Nën thirrjet se “Rafineria është  e naftëtarëve”, ata kërkuan të hyjnë në uzinë dhe të merrnin librezat e punës.

Kujtojmë se një pjesë e naftëtarëve ndodhen ditën e sotme në ditën e 16 të grevës së urisë, ku disa prej tyre për shkak të problemeve shëndetësore janë detyruar të dalin prej ngujimit në gjendje të rënduar të shëndetit fizik.

Qeveria është shfaqur indiferente ndaj problemit të tyre duke e shpallur një problem të brendshëm të kompanisë. Nga ana tjetër naftëtarët kanë deklaruar se nuk do të reshtin së protestuari për të drejtat e tyre duke përshkallëzuar protestat e tyre deri në marrjen e pagave të prapambetura dhe lidhjen e kontratave individuale për rifillimin e punës.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re