Banorët e komunës së Gjakovës, edhe këtë vit kanë dalë në rrugë për të protestuar kundër ardhjes së paralajmëruar të pelegrinëve serbë në këtë qytet, ndërsa në duar kanë mbajtur parullat “S’ka qetësi pa drejtësi” dhe “Gjaku i fëmijëve shqiptarë të vrarë nga Serbia nuk falet”.

Edhe këtë vit protesta ka eskaluar pasi policia ka arrestuar pesë persona për dëmtim të pronës dhe pengim të personit zyrtar. Ndërsa janë alivanosur dhe dy gra, ku njëra prej tyre është anëtarja e Komisionit qeveritar për të pagjeturit, Nesrete Kumnovat.

Kjo protestë ka bërë që pelegrinët serbë të dorëzohen. Krist Gjoka, komandant i policisë në Gjakovë ka deklaruar se pelegrinët serbë kanë anuluar vizitën.

Por edhe pelegrinët serbë për mediat në Serbi kanë konfirmuar se nuk do marrin rrugë drejt Gjakovës.

“Heqim dorë nga vizita në Gjakovë sepse nuk dëshirojmë të futemi në një qark urrejtjeje e tensionesh. Nuk dëshirojmë ekses. Kësaj here serbët nuk janë të poshtëruar, janë të poshtëruara institucionet ndërkombëtare, institucionet e Prishtinës, organizatat joqeveritare, të cilat as pas 20 vjetësh nuk janë në gjendje t’iu sigurojnë serbëve që në Gjakovë, të qetë, me dinjitet, t’i shënojnë festën e pagëzimit, pashkët, krishtlindjet”, ka deklaruar Gjokica Stanojeviq, kryetar i shoqatës të serbëve të zhvendosur nga Gjakova, raporton RTS.

Kujtojmë se edhe shoqata “Thirrjet e Nënave” në Gjakovë, ka dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë, shoqatë e cila, përmes një letre të hapur dërguar presidentit Thaçi, kërkoi nga ky i fundit që të ndalojë këtë vizitë.

Presidenti Thaçi përmes një postimi në Facebook ju është përgjigjur nënave gjakovare duke thënë se kriminelët që kanë kryer krim,  nuk do të mund të kthehen kurrë në Kosovë.

“Kudo që gjenden, ata që kanë kryer krime dhe vrasje, nuk do të jenë të qetë derisa të japin llogari para drejtësisë”, shkruan Thaçi.

Ndërsa një ditë më parë, themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiç, i bëri thirrje Thaçit, që t’ua mundësojë serbëve të Gjakovës që sivjet ta vizitojnë kishën.

E presidenti përmes një letre ju përgjigj Kandiçit duke thënë “sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cenojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re