Protestat e fermerëve janë shtrirë në të gjithë Europën. Protestave i janë bashkuar edhe fermerët polakë, të cilët këtë të martë kanë marshuar drejt Varshavës, ku kanë dalë kundër politikave bujqësore të Bashkimit Evropian dhe importeve të ushqimeve të lira nga Ukraina fqinje.

Protestuesit thonë se duan që qeveria polake të tërhiqet nga Marrëveshja e Gjelbër e BE-së, një plan që synon të luftojë ndryshimet klimatike dhe të ndihmojë mjedisin me masa që ata thonë se janë shumë të kushtueshme.

Fermerët protestues duan gjithashtu që kufiri i Polonisë me Ukrainën të mbyllet me importet e drithërave dhe produkteve të tjera ushqimore që ata thonë se po ulin çmimet që fermerët mund të marrin në tregun vendas.

Protestuesit, të cilët në pjesën më të madhe i lanë traktorët në shtëpi, planifikuan të përfundonin para zyrave të kryeministrit Donald Tusk, i cili të martën ishte në Pragë për një takim me homologun çek.

Tusk, i cili e ka përshkruar zemërimin e fermerëve si të justifikuar, tha se vendet do të punojnë me Brukselin për të gjetur zgjidhje për kërkesat e fermerëve. Tusk tha gjithashtu se Polonia dhe Çekia synojnë të ndihmojnë Ukrainën duke pranuar “efektet negative” që prodhimi ukrainas ka tek fermerët vendas.

Nga Italia në Spanjë në Belgjikë dhe gjetkë, protestat e fermerëve e kanë bërë gjendjen e tyre një temë kryesore politike përpara zgjedhjeve parlamentare të 6-9 qershorit në 27-vendet e BE-së.

Komisioni i BE-së ka bërë tashmë disa lëshime për fermerët, duke përfshirë shtyrjen e një reduktimi të përdorimit të pesticideve deri pas zgjedhjeve.

/Vizionplus.tv/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re