Nisja e vitit të ri shkollor është shoqëruar edhe me protesta. Në fshatin Grizë në fier, prindërit ashtu siç kishin paralajmëruar edhe më herët refuzuan t’i dërgonin fëmijët në një shkollë tjetër.

 

Sipas Drejtorisë Arsimore, 35 nxënësit e kësaj shkolle fillore këtë vit do të zhvillojnë mësim në qytetin e Patosit. Kjo pasi godina ku ata mësojnë ka pësuar dëmtime në strukturë.

 

Por, ndonëse vendimi ka më shumë se një muaj që është marrë, prindërit sërish e kanë kundërshtuar transferimin e fëmijëve. Ata kërkojnë mësim online deri në riparimin e shkollës.

 

 

“Do t’i lëmë pa shkollë, s’i çojmë dot atje. Kush do t’i cojë, është larg. Nesër do të sëmuret fëmija, do të marrë në telefon, kush do vete ta marrë, unë s’vete dot. Fëmijët i kam në Greqi, nipërit i mbaj unë.

 

Jemi të vendosur që fëmijët në Patos nuk do t’i çojmë. Pranojmë mësim online deri sa shkolla të rregullohet.

 

Pardje ndodhi një aksident tek rruga. Dhe ishte 20 vjeç ai që u përplas. Po një fëmijë i vogël. Të bëjnë mësim online deri sa të rregullohet shkolla.”

 

Protestë pati dhe në njësinë administrative Suç të Klosit, ku prindër e nxënës kërkuan rihapjen e gjimnazit “Haxhi Lata”. Ata thanë se do ta bojkotojnë mësimin deri në marrjen e një përgjigje pozitive nga autoritetet.

 

 

Në shkollën e mesme “Haxhi Lata” studiojnë rreth 250 nxënës. Kjo është e disata protestë që banorët e kësaj zone zhvillojnë. Në qershor të vitti 2020, Instituti i Ndërtimit në Tiranë vendosi që shkolla t’i nënshtrohej një rikonstruksioni pasi ka pësuar çarje. Por edhe pse ka kaluar më shumë se një vit, nuk është bërë asnjë ndërhyrje.

 

Ndërkohë, në të gjithë vendin, viti i ri shkollor ka nisur normalisht, ndërsa janë zbatuar masat anticovid.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re