Drejtori i Informacionit të News24, Erli Murati, ka komentuar marrjen si të pandehur të Sali Berishës nga ana e SPAK, ku tha se është Gjykata ajo që do e vendosë nëse është i fajshëm apo i pafajshëm.

Më tej ai theksoi se s’ka pse të shqetësohet askush pse një ish-Kryeministër po shkon në Gjykatë, ndërsa nuk e ka cilësuar normale protestën e demokratëve para godinës së SPAK.

Murati u shpreh se fati personal i Berishës duhet të ndahet nga ai i opozitës, pasi kjo mund të ndikojë dhe në mbështetjen elektorale për PD-në.

“Protesta që bëhet para godinës së SPAK nuk bëhet për të kërkuar që të bëhet më shumë kundër korrupsionit, por bëhet për të kërkuar llogari pse i ngritët akuzë një ish-Kryeministri. Njerëzit janë të gatshëm të presin se çfarë do të thotë Gjykata. Nga sondazhet nuk kemi parë perceptimin që Berisha po goditet politikisht. Mendoj se fati personal i Berishës duhet të ndahet nga ai i opozitës.

Nëse nga shqiptarët mund të perceptohet se Berisha është i burgosur politik, kjo mund të ndikojë dhe të rrisë mbështetjen elektorale për PD-në. Në të kundërt, pra nëse provohet akuza për korrupsion, atëherë do të ketë një ndikim negativ në elektorat”, tha Murati.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re