Nga Ylli Pata

Një nismë për të protestuar përpara kryeministrisë sot pasdite, për krizën e paralajmëruar energjetike, pati që prej ditësh një rëagim pozitiv në opinion. Një protestë, një zemërim, një shfryrje apo edhe planiifikim i shpalljes së kërkesave me forcë, nuk është gjë tjetër veçse një shkundje shumë e rëndësishme për çdo shoqëri.

Protestat, që në lashtësi, edhe pse kanë ardhur në forma të ndryshme, kanë qenë determinuese për rrugën për ndryshim. Janë realisht mekanizma shoqërore që i I japin opinionit public shkëndijat e duhura për ndryshim. Por ndryshimi duhet të jetë real e bio, e jo i komanduar.

Por në Shqipëri protesta e ka humbur të drejtën e qytetarisë fatkeqësisht që kur ajo protestë solli ndryshimin e madh. Siç ishte viti 1990 apo dhjetori 1990, që solli rrëzimin e komunizmit dhe lindjes së një shoqërie sin ë Perëndim, me shumë parti dhe ekonomi tregu.

Por protesta e parë pas dhjetorit 1990 nuk ishte shoqërore por ishte politike, siç ishte greva e minatorëve për të rrëzuar qeverinë e parë të Fatos Nanos. E cila gjithsesi ishte gjenuine pasi solli qeverinë e parë të koalicionit të madh në Shqipëri qeverinë Bufi-Pashko.

Por, pas fitores së PD-së më 22 mars 1992, protesta e humbi të drejtën e qytetarisë. Konsiderohej si “rebelim komunist”. Protestuan punëtorët e Poliçanit, qeveria e kohës i dërgoi policinë, ndodhi protesta për arrestimin e Fatos Nanos në 1993, policia i futi një dru protestuesve, por akoma më keq propaganda zyrtare i ndau ato njerëz si kundërshtarë të “regjimit demokratik”.

Pra nuk i pranoi, fare, kështu ndodhi edhe në protestat e 28 majit 1996 pas zgjedhjeve të kontestuara edhe nga ndërkombëtarët. Për të arritur në rebelimin popullor të vitit 1997. Jemi dëshmitarë edhe sot siç quheshin njerëzit që kontestuan masat, vendimet, synimet, apo edhe zgjedhjet e qeverisë së kohës. i quajtën armik, mbi të cilët u vendos që të bombardohen edhe me avionë, por pilotët qëlluan më të emancipuar dhe u arratisën në Itali.

Pas 1997, protestat nuk ishin të tilla, ishin kryengritje për të përmbysur qevernë; me armë. Protesta që patën një frekuencë të madhe e larguan shpesh fazat e shtresat që nuk kisnin lidhje me politikën.

Në 2003-2004, ndodhën protestat e rëndësishme shoqërorë të “Mjaft”-it që sot i adresojnë politikisht, por fakt është se ishin protesta reale, ku merrnin pjesë si nga e majta si nga e djathta, por edhe pa parti. Protesta që shkundën qeverinë e atëhershme dhe sollën realisht e në shumë raste tërheqjen nga vendimet. Këto protesta krijuan një kulturë të re, atë të qëndrimit kundra. Ku përveç të rinjve u përfshinë edhe profesionistë e intelektualë.

Por pas vitit 2005, kultura e protestës u godit sërish, e kulmin e solli më 21 janar 2011, kur protestuesi u cilësua armik që mund të vritej nga Brenda kryeministrisë.

Pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet, protesta mori një hov të madh, madje që në muajin e dytë të qeverisjes së tij, të ashtuquajturat “protesta për armët kimike” që ishin ngushtësisht të financuar e të orientuar politikisht. Protesta e arriti qëllimin, dhe më pas protestat vijuan deri edhe në përdorimin e zjarrit si sinjal ceremonial, siç ndodhi me bunkierin para ministrisë së Brendshme në 2015-n.

Pas kësaj date, çdo protestë, çdo nismë, kishte vetëm një qëllim: vetëm të rrëzojë Edi Ramën nga qeveria. Që në fakt nuk ja arriti. Siç ndodhi realisht edhe me teatrin, protestat e 2019 kur u sulmua kryeministria etj.

Në protestën e sotme, njerëz të mediave të Berishës kanë akuzuar ambasadën amerikane që e cilësojnë si zyrë të shtypit të Edi Ramës, se kërkon t’ja ngjeshë Lulzim Bashën nismën, kur s’është e tija. Po ç’rëndësi ka nisma. Një protestë nuk ka lidhje fare kush e organizon, por çfarë ajo deklamon dhe synon.

Protesta është  këmbanë, por edhe synim, por nuk mund të jetë alternativë qeverisje apriori, edhe pse herë herë ajo është e tillë. Por dështimi i protestës në Shqipëri ka ndodhur pikërisht sepse ka qenë hipokrite, ka pasur tjetër qëllim zyrtar, e tjetër real.

Nëse protestat e sotme do të kontribuonin në një realizim të kërrkesave popullore që të mos rriten çmimet e energjisë, ka shumë gjasa që nga aty të lindin politikanët e rinj. Në Bullkari për shembull qeveria varret pikërisht nga grupimet sociale që protestojnë për të drejtat qytetare.

E kreu i këtij grupimi e çoi vendin për të tretën herë në zgjedhje brenda 2 vitesh vetëm që të mos zhgënjente njerëzit që kishin protestuar. Ja vlen realisht për ta mësuar këtë përvojë, që protesta në Shqipëri të rifitojë besimin që ka humbur në vite…

TemA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re