Qindra serbë u mblodhën sërish që në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në komunat veriore të Kosovës, për të vazhduar protestën e tyre kundër kryetarëve shqiptarë.

 

Disa prej tyre ngritën në Zveçan pankarta, ku shkruhej “Nuk do të na dëboni nga shtëpitë tona”, apo “Duam paqe, jo gaz lotsjellës e bomba”, megjithatë pjesëmarrja në tubim ishte më e ulët krahasuar me ato të ditëve të kaluara.

 

Forcat paqeruajtëse të NATO-s mbështetur nga ato të policisë së Kosovës kanë zënë pozicionet në ambientet pranë komunave.

 

Nga ana tjetër, aleatët perëndimorë kanë rritur presionin ndaj liderëve të dy vendeve. Bashkimi Evropian iu bashkua thirrjeve të Francës dhe Gjermanisë për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, në të kundërt paralajmëroi pasoja serioze për marrëdhëniet dypalëshe.

 

JOSEP BORELL

 

PERFAQESUES I LARTE I BE

 

“Ne kemi 3 kërkesa të qarta:

 

– Zgjedhjet të reja lokale menjëherë

 

– Sigurimin e pjesëmarrjes së serbëve të Kosovës në këtë proces

 

– Fillimi i punës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe me Dialogun e ndërmjetësuar nga BE

 

Dështimi për ta bërë këtë, do të ketë pasoja të rënda për marrëdhëniet tona.”

 

Pas takimeve me liderët europianë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, presidentja Osmani tha se Kosova është gati për të mbajtur zgjedhje të reja në veri, nëse zhvillohen përmes procesit të rregullt ligjor.

 

Edhe kreu i shteti serb, Vuçiç, gjatë takimeve të së enjtes u shpreh i gatshëm të ndërmarrë veprime për të ruajtur paqen në veri, megjithatë nuk ka ende asnjë reagim zyrtar në lidhje me tre kërkesat e Bashkimit Europian.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re