Bashkimi Europian duhet të marrë përgjegjësi përballë zhvillimeve në Shqipëri dhe t’i kërkojë llogari kryeministrit Edi Rama për korrupsionin. Ky është mesazhi i opinionit të profesorit të shkencave politike në Sciences Po, Christian Lequesne, të publikuar në median franceze Le Figaro, ku analizohen protestat kundër qeverisë në Tiranë.
Në shkrimin me titull “Përballë trazirave në Shqipëri, është koha që Bashkimi Europian të marrë përgjegjësitë e tij”, Lequesne kërkon që Brukseli t’ia bëjë të qartë Ramës, pa ekuivok, se procesi i zgjerimit të BE-së kërkon uljen e korrupsionit.
Sipas autorit, perspektiva e anëtarësimit të Shqipërisë duhet të shoqërohet me një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj qeverisë shqiptare për përgjegjësitë që burojnë nga ky proces. Në këtë kuadër, ai e vendos luftën kundër korrupsionit në qendër të qëndrimit që duhet të mbajë Bashkimi Europian.
Duke u ndalur te situata në kryeqytet, Lequesne shkruan se, prej 13 tetorit, Tirana është bërë skenë e trazirave në rrugë, të shoqëruara me shkatërrimin dhe djegien e ndërtesave dhe të infrastrukturës publike e private.
Megjithatë, profesori thekson se përshkallëzimi është paraprirë nga katër muaj demonstrata paqësore. Sipas tij, protestat në Shqipëri nisën nga të rinj të qyteteve, shpesh të arsimuar, një element që ai e veçon në analizën e origjinës së kësaj lëvizjeje.
Autori bën edhe një krahasim me protestat në Francë, duke theksuar se dy situatat kanë dallime. Ai shkruan se demonstratat franceze nisën nga gjimnazistë që kundërshtonin kushtet e këqija në disa shkolla publike dhe u mbështetën më pas nga studentët.
Sipas vlerësimit të Lequesne, në Francë e majta ekstreme shfrytëzoi pakënaqësinë e të rinjve të periferive urbane, ndërsa në Shqipëri ai nënvizon karakterin paqësor që protestat ruajtën për muaj me radhë.
Përballë zhvillimeve në Tiranë, profesori kërkon që Bashkimi Europian të mbajë një qëndrim të qartë ndaj Ramës, duke e lidhur procesin e afrimit me BE-në me kërkesën për uljen e korrupsionit.
