Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka njoftuar se është pranuar kërkesa e studentëve për zgjedhje të parakohshme.

Por në të njëjtën kohë ai është treguar i bindur se zgjedhjet do të fitohen sërish nga shumica në pushtet.

Do të shkojmë në zgjedhje vitin tjetër, ata thjesht nuk do të jenë të kënaqur me rezultatet. Do t’i mposhtim me forcën dhe dashurinë tuaj, ne jemi gjithmonë më të fortë se urrejtja e tyre”, tha Vuçiç.

 

Presidenti serb shtoi se opozita kishte humbur pesë zgjedhje dhe se do të humbisni në të gjitha zgjedhjet në vijim.

“Detyra jonë është të mos i trajtojmë kurrë ashtu siç donin të na trajtonin ata. Ata na donin të vdekur, të poshtëruar, të larguar nga vendi. Ne i duam këtu në vendin tonë, të jetojnë me ne, t’i dëgjojmë. Të flasim me ta, por të respektojmë rregullat demokratike dhe të sigurohemi që kushdo që fiton shumicën të ketë të drejtën të qeverisë vendin, jo kushdo që mendon se mund të djegë qytetet tona, kanë djegur gjithçka mjaftueshëm. Ju keni shkatërruar gjithçka që keni arritur. Ne të gjithë do të luftojmë së bashku që një Serbi e mirë të fitojë… Ne ua shpëtuam fytyrën, shpëtuam Serbinë. Jam krenar për ju që u sollët kështu, që nuk patët asnjë viktimë. Shikoni sa dhjetëra të vdekur ka, për shembull, në protestat e jelekëve të verdhë në Francë. Sa zyra partie shkatërruan. Ata rrahën njerëz kudo që shkuan. Falë durimit dhe dashurisë suaj për atdheun, askush nuk u vra. Ky ishte viti më i vështirë për mua. Dëgjova gënjeshtra të tilla, mbi një mijë thirrje në ditë për të vrarë anëtarët e familjes sime”.

Vuçiç i përgëzoi serbët në Kosovë për guximin dhe unitetin që, sipas tij, treguan në zgjedhjet e mbajtura të dielën. Ai tha se serbët atje meritojnë ndihmë më të madhe financiare nga shteti serb.

“I përgëzoj këta njerëz të guximshëm, që votuan pavarësisht pengesave që ju nxori makineria e Kurtit. Këta janë njerëz të guximshëm, janë heronj të vërtetë dhe besoj se ata meritojnë ndihmë dhe mbështetje shtesë edhe më të madhe nga shteti i Serbisë. Ata e dinë se ne jemi gjithmonë me ta, ashtu siç ne e dimë se ata janë gjithmonë me Serbinë dhe me popullin e tyre”.

Vuçiç tha se opozitarët nuk kanë as ide politike, as rreth Kosovës.

“Njëra pjesë e opozitës është për njohjen e Kosovës, dhe tjetra është të shkohet në luftë me Prishtinën që nesër. Janë po ata që, pavarësisht faktit se e shkatërruan ushtrinë vite më parë, pikërisht tani donin të shkonin në luftë me Prishtinën. Kur nuk ke një politikë, nuk ke plane, nuk ke ide, nuk ke një program, nuk ke asgjë për t’u ofruar njerëzve, pas një kohe njerëzit e kuptojnë se ajo dozë pasioni ka kaluar. Le të kthehemi në një jetë të vërtetë, serioze dhe të përgjegjshme. Mendoj se është e rëndësishme të tregohet se Beogradi dhe Serbia po kthehen plotësisht në normalitet, pavarësisht faktit se shumë nuk e donin këtë”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re