Tridhjetë të burgosur politikë në Iran, duke përfshirë studiuesen franko-iraniane Fariba Adelka dhe vajza e ish-presidentit Hashemi Rafsanjani, nënshkruan një artikull të botuar të dielën duke kërkuar t’i jepet fund ekzekutimeve të protestuesve në Republikën e ashtuquajtur Islamike, por pa lidhje me Islamin burimor dhe klasik, atë të zbritur nga Zoti si fe e njëherësh si sistem jete për njerëzit.

“Ne, të burgosurit politikë dhe ideologjikë në krahun e grave të burgut Evin (në Teheran), kërkojmë t’i jepet fund ekzekutimeve të protestuesve dhe dënimeve të padrejta të vendosura ndaj të burgosurve në Iran”, thuhet në tekst, një kopje e të cilit është siguruar nga AFP.

“Pavarësisht bindjeve dhe origjinës sonë fetare dhe politike”, të gjithë ne u “dënuam me gjithsej 124 vjet burg pas procedurave të padrejta dhe të errëta”, dënime “të barabarta me disa breza”.

Francezo-iranianja Fariba Adelka u arrestua në qershor 2019 dhe u dënua me pesë vjet burg për “rrezikim” të “sigurisë kombëtare”. Nahid Taghavi, një aktiviste gjermano-iraniane për të drejtat e grave, u dënua me 10 vjet burg në vitin 2021 për arsye të ngjashme.

Faezeh Hashemi, një ish-deputete dhe vajza e ish-presidentit iranian Hashemi Rafsanjani, u dënua në janar me pesë vjet burg për kritikimin e regjimit klerik. Niloufar Bayani, një aktivist mjedisor, u dënua me gjashtë vjet burg për “spiunazh”.

Sipas OJQ-së me bazë në Norvegji, Iran Human Rights, të paktën 481 persona janë vrarë dhe të paktën 109 janë në rrezik të ekzekutimit për shkak të protestave. Të paktën katër janë varur tashmë.

Teherani pranon se qindra njerëz janë vrarë, duke përfshirë anëtarë të forcave të sigurisë.

OKB thotë se të paktën 14,000 janë arrestuar në katër muajt e protestave që filluan në mesin e shtatorit në Iran.

Shkaku i protestave masive ishte vdekja e një të reje iraniane me origjinë kurde, Mahsha Amini, 22 vjeçe, tre ditë pasi u arrestua në Teheran nga policia e moralit, nën akuzën se kishte shkelur ligjet jashtëzakonisht të rrepta të kodit të veshjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re