Skip to content

Protestat: reperi që ka ndezur Spanjën

Protestat në rrugë në Spanjë të premten në mbrëmje, të organizuara për të katërtën ditë me radhë mbi arrestimin e një reperi, janë bërë të dhunshme në shumë qytete dhe reagimi i qeverisë ka tensionuar marrëdhëniet brenda koalicionit qeverisës.

Policia në rajonin verilindor të Katalonjës, ku ndodhën trazirat më të mëdha në ditët e mëparshme, tha se protestuesit në Barcelonë dhe tre qytete të tjera hodhën shishe, gurë dhe pishtarë drejt oficerëve të policisë, u vunë flakën kontejnerëve dhe bllokuan rrugët, raporton AP.

Kryeministri Pedro Sanchez, duke iu përgjigjur kritikave nga partnerët e koalicionit nga e majta, tha se dhuna ishte “e papranueshme” për shkak të reagimit të ashpër të policisë.

Arrestimi i reperit dhe një dënim nëntë muaj burg për tekstet e tij anti-shtet ndezën një debat politik mbi lirinë e shprehjes dhe shtypjen policore.

“Dhuna është një sulm ndaj demokracisë dhe qeveria do të luftojë kundër çdo forme dhune për të siguruar sigurinë e njerëzve,” tha kryeministri.

Ministri i Brendshëm Fernando Grande-Marlaska falënderoi policinë për reagimin e tyre dhe tha se ata do të vazhdojnë të “garantojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë shoqërisë kundër një pakice, keqkuptimi i të drejtave të të cilit çon në dhunë”.

Gati 80 njerëz janë arrestuar dhe më shumë se 100 janë plagosur që kur reperi Pablo Hassel u arrestua dhe filloi të vuante një dënim me nëntë muaj burg për fyerjen e familjes mbretërore spanjolle dhe lavdërimin e terrorizmit.

Qeveria njoftoi javën e kaluar se do të ndryshojë ligjin duke hequr dënimet me burg për veprimet që përfshijnë lirinë e shprehjes.