Një protestë është mbajtur të dielën para ambasadës amerikane në Moskë, ku janë parë bashkë flamujt e Rusië dhe Serbisë. Me gjasë, aty ka patur dhe shtetas serbë.

Ata që protestonin mbanin madje dhe foto të Putinit, ndërsa disa prej tyre ishin me bluza me simbolin “Z”, që shpesh mund të shihet në tanket ruse dhe automjetet e tjera ushtarake në Ukrainë.

“NATO një bandë” dhe “Serbët dhe rusët, vëllezër përgjithmonë”, thërrisnin të mbledhurit, të cilët më parë kishin trumbetuar në një kolonë makinash të zbukuruara me flamuj.

Në luftën e shpërthyer nga Rusia, duke sulmuar Ukrainën, Moska ka aleat të qartë vetëm Bjellorusinë, fqinjën e saj, ish-shtet sovjetik vasal.

Por një aleat tjetër, ose përkrahës, ka Serbinë, pak në rafshin politik, në mënyrë të kamufluar dhe shumë në atë social. Pse? Sepse Serbia sheh te Rusia hakmarrësen ndaj bombardimeve të NATO-s mbi të për shkak të Kosovës, në 99-ën.       

Agresioni rus i Ukrainës, i cili filloi me sulmin e 24 shkurtit, provokoi dënimin ndërkombëtar, duke çuar në sanksione financiare kundër Moskës dhe ka inkurajuar ikjen e kompanive globale nga Rusia.

Të paktën 1,276 civilë janë vranë deri tani në Ukrainë dhe 1,981 janë plagosur, sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, të cilat thonë se numri real është ndoshta shumë më i lartë.

Sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 4.1 milionë ukrainas kanë ikur në disa vende evropiane dhe miliona janë zhvendosur brenda vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re