Qindra persona në Jerusalem morën pjesë në protestën e organizuar për të kundërshtuar shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Gjatë ndërhyrjes së policisë izraelite në protestë u ndaluan 11 qytetarë hebrenj.
Hebrenjtë Ultra-Ortodoks (Haredi), të cilët veshin rroba të zeza dhe mbajnë flokë të gjata, me protestat e organizuara në gjithë shtetin po protestojnë kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Hebrentjë Haredi të Izraelit, ku shërbimi i detyrueshëm ushtarak për meshkujt zgjat 3 vite, kurse për femrat 2 vite e gjysëm, u mblodhën në lagjen Mea Sherim të Jerusalemit Perëndimor.
Thyen dritaren e autobusit publik
Protestuesit të cilët u ulën në rrugë, nuk lejuan kalimin e asnjë automjeti. Hebrenjtë Haredi gjatë protestës mbyllën edhe rrugën e tramvajit.
Kohë pas kohe kishte edhe tensione mes disa izraelitëve të cilët kalonin nga rruga dhe hebrenjve Haredi të cilët ishin pjesë e protestës kundër shërbimit ushtarak.
Protestuesit thyen dritaret e një autobusi publik, i cili përpiqej të kalonte nga rruga.
“Jemi të gatshëm të vdesim, në vend se të shkojmë në ushtri”
Protestuesit mbanin pankarta me mbishkrime “Ne dhe fëmijët tanë jemi të gatshëm të vdesim, në vend se të shkojmë në ushtrinë izraelite, e cila është në kundërshtim me Tevratin tonë”.
Një protestues, i cili nuk deshi të zbulojë emrin e tij në një deklaratë për AA-në tha se “Policia izralite po përpiqet që me dhunë të na dërgojë në ushtri. Miqtë tanë të cilët refuzojnë të shkojnë ushtarë ndalohen nga policia. Kjo është e papranueshme. Nuk do të jemi kurrë pjesë e ushtrisë së Izraelit. Sepse nuk është e mundur që ne aty ta përjetojmë sheriatin hebrenj. Për këtë arsye do të vazhdojnë protestat tona”.
11 persona u ndaluan
Policia izraelite njoftoi se ka ndaluar 11 persona gjatë ndërhyrjes në protestë për të hapur rrugët të cilët mbetën të mbyllura me orë të tëra. Në një deklaratë me shkrim nga policia thuhet se të gjitha rrugët në Jerusalem janë hapur përsëri për trafikun dhe se policia do të vazhdojë të patrullojë në vendet ku po vazhdojnë protestat.
Gjatë javës së fundit në Izrael, dhjetëra persona u arrestuan në protestat e organizuara kundër shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Hebrenjtë Ultra-Ortodoks
Ultra-Ortodoksët përbëjnë 10 për qind të popullsisë së Izraelit dhe janë grupi i cili ballafaqohet me probleme më të mëdha në aspektin e integrimit me grupet tjera të shoqërisë.
Shumica e hebrenjve Haredi kundërshtojnë shërbimin ushtarak për arsye se aty “nuk mund t’i përmbushin detyrimet e tyre fetare”. Hebrenjtë Haredi po ashtu nuk pranojnë sistemin laik të edukimit dhe vijojnë në shkollat ku mbahet vetëm arsimi fetar.
Duke thënë se arsyeja e ndodhjes së tyre në Izrael është “Mësimi dhe përjetimi i sheriatit hebrenj”, hebrenjtë Haredi sulmojnë anëtarët e tyre të cilët pranojnë të shkojnë si ushtarë. Ky qëndrim po shkakton që ultra ortodoksët të ballafaqohen shpesh me probleme me policinë e Izraelit, ku shërbimi ushtarak është i detyrueshëm.
Hebrenjtë Haredi përbëjnë pjesën më të varfër të popullsisë hebrenje dhe shumica e tyre mbijetojnë nga ndihma shtetërore. Numri i tyre rritet çdo ditë e më shumë për shkak të numrit të madh të lindjeve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re