Qindra qytetarë serbë janë mbledhur në sheshet kryesore të kryeqytetit për të protestuar. Ata kanë hedhur parulla kundër shqiptarëve. Në thirrjet e tyre ata kanë kërkuar kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

 

Protesta është organizuar nga rrjetet sociale përmes një llogarie të një organizate të krahut të djathtë, ndërkohë që huliganët janë mbledhur pranë Kishës së Shën Savës me parullat “Kosova është Serbi”, “Kur të kthehet ushtria serbe në Kosovë, secili shqiptar do të vuajë”.

 

Protestuesit kane kërkuar krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Protesta ka detyruar autoritetet policore që të bllokojnë rrugët.

 

Ndërkohë në veri të Kosovës situata vijon të jetë e qetë, por e brishtë. Rrugët kryesore që lidhin pjesët e tjera të vendit me veriun mbeten të bllokuara. Ndërkohë Franca ka bërë thirrje për qetësimin  e situatës. Në një reagim në faqen e Ministrisë së Jashtme, Franca ka kërkuar nga palët të tregojnë përmbajtjen më të madhe dhe të demonstrojnë përgjegjësi në mënyrë që të ulen tensionet.

 

“Franca përkrah plotësisht ndërmjetësimin evropian, që duhet ta bëjë të mundshëm përparimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme”, thuhet në deklaratë.

 

Sot ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian në takimin e tyre në Bruksel do të kenë në agjendë të ditës edhe situatën në veri të Kosovës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re