Mbi një mijë veta u mblodhën të enjten në një protestë në veriun Kosovës ku rrugët kryesore po mbahen të bllokuara tash e 13 ditë me radhë, në shenjë kundërshtimi ndaj arrestimit të një ish-polici serb për një sulm të dyshuar ndaj autoriteteve. Protesta që u mbajt në fshatin Rudarë të komunës së Zveçanit u organizua për të kundërshtuar siç u tha “kërcënimet e fundit” të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, i cili sipas organizatorëve ka bërë thirrje ditëve të fundit “për vrasjen e serbëve në barrikada”. Këto pohime i referohen një interviste të kryeministrit Kurti për gazetën britanike “The Guardian”, ku ai citohet të ketë thënë se “brenga e autoriteteve të Kosovës është që largimi i barrikadave të vendosura nuk mund të përjashtojë viktimat”.

 

 

Thirrja për protestë sipas organizatorëve është rrjedhojë edhe e mbështetjes së drejtpërdrejtë të kryeministrit Kurti nga ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, i cili sipas tyre “caktoi ultimatume dhe afate për heqjen e barrikadave”, duke ju referuar deklaratës së ambasadorit gjerman se do të ishte mirë që barrikadat të hiqen para festave të fundvitit. Protestuesit bartnin pankarta, në disa prej të cilave thuhej “Rohde, kjo nuk është Gjermania juaj, kjo është Serbi”. Goran Rakiq, kryetar Listës Serbe, subjektit politik më të madh të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit, tha se për të zhbllokuar rrugët në veri, serbët kërkojnë lirimin e të arrestuarve, tërheqjen e siç tha ai “listave të fshehta për arrestimin e serbëve”, si dhe tërheqjen e njësive të posacme të Policisë së Kosovës nga veriu i vendit.

 

 

“Pa plotësimin e këtyre kushteve, nuk do të ketë tërheqje të barrikadave, sepse jemi lodhur duke pritur se kush prej nesh është i radhës në listën për arrestim apo ekzekutim vetëm pse jemi serbë”, tha ai. Autoritetet në Kosovë mohuan pretendimet se ekzistojnë lista në bazë të së cilave po arrestohen pjesëtarë të komunitetit serb, duke i quajtur këto pretendime “fushatë të Beogradit për të arsyetuar veprimet kriminale në veri”. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale të enjten shprehu mbështetjen për serbët e Kosovës.“Serbët nuk  kërkojnë shumë, kërkojnë vetëm atë që u takon popujve të qytetëruar në Evropë, që të gjithë njerëzit kanë këtë drejtë dhe vetëm serbët privohen nga mundësia për lëvizje të lirë, për të shkuar në shkolla, spitale dhe për të ruajtur të ardhmen e fëmijëve të tyre”, tha ai.

 

 

Policia e Kosovës tha në një njoftim për media gjatë ditës se protesta e së enjtes, e cila nga organizatorët u cilësua si më e madhja ndonjëherë, përfundoi pa ndonjë incident, dhe se në të morën pjesë rreth një mijë e 500 persona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re