Banorët e fshatit Zall Gjoçaj janë ngritur në protestë kundër ndërtimit të një hidrocentrali, i cili sipas tyre do të marrë ujin që iu nevojitet për punët e tyre në bujqësi dhe vajitjen e tokave. Banorët e fshatit thonë se do të ngrenë çadra në vendin e ndërtimit për të ndaluar këtë HEC.

Banorët kanë bllokuar rrugën që lidh fshatin me qytetin, dhe kërkojnë që të ndalojnë punimet për ndërtimin e HEC-it. Ata thonë se i kanë dërguar letra ministrisë së Energjisë ku kërkojnë që të mos iu merret uji nga kompania private që ka marrë lejen për të ndërtuar HEC-in.

“Uji është jeta, ne vetëm këtë ujë kemi, asnjë pasuri tjetër në këtë zonë. Policia e Shtetit me kë jeni ju? Me privatin?! Ne do ngremë çadrat këtu, nuk largohemi.”-janë shprehur ata.

Në vendin ku po zhvillohet protesta ka forca të shumta policie. Gazetari Enver Doçi raporton nga protesta se forcat policore kanë ardhur edhe nga Tirana. Banorët nga ana tjetër nuk tërhiqen. Ata thonë se nuk do të lejojnë ndërtimin e HEC-it nga privati.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re