Banorët e një pallati dhjetë katësh pranë tregut industrial të qytetit të Durrësit, i cili u dëmtua nga lëkundjet sizmike të 26 nëntorit 2019, protestuan këtë të mërkurë para bashkisë.

Shkak u bë ndërprerja e punimeve nga firma kontraktuese për riparimin e objektit, i cili sipas ekspertizës së thelluar të institutit të ndërtimit është shpallur me shkallë dëmtimi ds4.

Edhe pse punimet për përforcimin e godinës nisën në qershor, ato u ndërprenë pas një muaji. Banorët u shprehen të zhgënjyer, ndërsa kërkuan shpjegim nga autoritetet. Ata thanë gjithashtu se prej dy muajsh nuk kanë marrë as bonusin e qerasë.

 

BANORE

 

Kush është arsyeja e ndërprerjes së punimeve të rikonstruksionit. Në një kohë që e kemi përballuar sfidën e tërmetit dhe jemi kthyer në një familje ciganësh. Nuk po dimë a kemi shpresë a s’kemi. Veç kësaj, edhe bonuset e qerasë ka dy muaj që s’po jepen.

 

 

BANORE

Ne kemi bërë kërkesë drejtuar kryebashkiakes. Banorët kanë qenë edhe më parë në bashki. Kryetarja nuk i ka pritur. I ka pritur shefi urbanistikës. Ne duam një shpjegim sepse sot na kanë thënë.

 

Punimet sipas projektit ishin parashikuar të mbylleshin brenda 168 ditëve. Lidhur me rastin, Vizion Plus iu drejtua bashkisë, e cila refuzoi të jepte një përgjigje. Ndërkohë burimet pranë firmës së ndërtimit, thanë se punimet u ndërprenë për shkak se fondi i akorduar për riforcimin e godinës ishte i pamjaftueshëm.

 

Në pallatin 10-katësh jetonin 102 familje, të cilat pas tërmetit tragjik u shpërngulën në banesa me qira.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re