Një grup aktivistësh të nismës “Thurje” protestuan në bregdetin e Golemit për zaptimin e plazheve publike.
Pakënaqësia e akumuluar prej kohësh e qytetarëve bëri që, përveç organizatorëve, tubimit t’i bashkoheshin me dhjetra pushues.
Disa prej atyre që u solidarizuan, lanë çadrat që u kishin paguar bizneseve private për t’u zhvendosur në një pjesë tjetër të plazhit, ku dhe u mbajt protesta.
“Protestën e pamë rastësisht dhe iu bashkuam pa ngurrim, është një kauzë shumë e drejtë dhe duhet t’i bashkohen më shumë qytetarë. Çmimet janë të shtrenjta, plazhet publike janë të pamjaftueshme dhe kur ne vendosim çadrat në plazhe publike dhe i lëmë aty, policia vjen dhe na i heq gjatë natës.”
“Plazhi publik i vendosur në dispozicion për ne, zaptohet nga privati se vijnë dhe vendosin çadra të thjeshta dhe më pas dhe aty kërkojnë nga 100 lekë. Është plazh publik, jam pensioniste dhe i kam paguar 40 vite shtetit taksa. Kam blerë shtëpi këtu dhe të mos kem mundësi të bëj plazh, është e turpshme.”
Ata u ulën dhe hapën çadra të tjera për të treguar se plazhi duhet të jetë edhe publik dhe se privati duhet të zbatojë vendimin e qeverisë, duke vendosur aq çadra sa u është caktuar dhe jo duke zaptuar gjithe plazhin.