Dhjetëra banorë të Njësisë Administrative Gjoricë në Bashkinë e Bulqizës u mblodhën sot në një protestë në rrugën e Arbrit.

Banorët u mblodhën këtë të hënë në rrugë duke kërkuar që ky fshat të ketë askses në qendër të tij dhe jo tek Ura e Çerenecit apo Ura tjetër në afërsi të Maqellarës. Banorët shprehen se firma nënkontraktore që ka ndërtuar këtë lot të Rrugës së Arbrit nuk është konsultuar me ta, duke vijuar punimet sipas qejfit të saj.

Gjithashtu, banorët e Gjoricës ngrenë një tjetër shqetësim, atë të daljes në anën tjetër tek tokat bujqësore. Në shenjë revolte, banorët bllokuan për disa minuta lëvizjen në këtë segment të rrugës së Arbrit. Ata i kërkojnë firmës që t’u lërë akses pasi traseja është ndërtuar në rrugën e vjetër ku dhe ka qenë argjinatura e zallit të Bulqizës, rrugë të cilën e kanë shfrytëzuar për tokat bujqësore.

“këtu është nju problem shqetësues, këtu kemi pasur rrugën argjinatura e shtetit është bërë që në 62’. Këtë rrugë e zuri firma në bashkëpunim me shtetin dhe këtu ka qenë rrugë që kanë kaluar gjithë fshati. Për të shkurtuar punët e veta firma bëri autostradën dhe ne na ka bllokuar brenda, ne s’kemi ku lëvizim fare. Unë dal me lopë dhe blektori dal matanë, ata s’duan ta dinë na thonë: ç’më duhet me lopën mua, si more unë ushqej familjen, këta nuk e çajnë kokën fare. E kemi ngritur këtë problem disa herë dhe na kanë thënë që këtu do të lihet hyrja por tani në fund e ka bllokuar ka vendosur llamarinat dhe do ta bllokojë komplet”, u shpreh banori i zonës.
“Ne duam të lidhet rruga, kjo është lagjia më e populluar. Duam të lidhemi me rrugën kryesore. Këta duan të bëjnë një dalje lart një dalje poshtë, këtu është qendra e fshatit”, thotë një banor tjetër.

Firma ka nisur ndërtimin e një rruge dytësore për Gjoricën, por kjo rrugë nuk jep akses në rrugën e Arbrit. Banorët kanë paralajmëruar përshkallëzimin e protestive nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re