Me vajzën, bashkëshorten e tij dhe një pankartë në dorë, protesta e Redon Meksit u bë një nga më viralet në rrjet për simbolikën e saj, teksa qendroi për disa minuta përpara Ministrisë së Brendshme.

I ftuar në emisionin “Zgjohu” në Fax News me Kastriot Çipin, avokati Meksi u shpreh se të gjitha vendimet e qeverisë në kushtet e pandemisë kanë gafa shumë të mëdha ligjore dhe një pjesë e tyre nuk janë të botuara në faqen zyrtare.

“Kam kaq kohë që dua të protestoj për shumë  gjëra, u mundova që të ftoj miqtë e mi që të protestonin, dhe nuk mu bashkua asnjëri, u thashë kontakteve të mia të afërta në sms. Nuk bëra thirrje në rrjetet sociale pasi do të më akuzonin për organizim tubimi të paligjshëm.

Isha me bashkëshorten dhe me vajzën time, dhe policët erdhën menjëherë duke bërtitur. I pyeta se kush ligj më ndalonte që të qendroja me pankartë përpara ministrisë, u tremb pak vajza nga prania e tyre, dhe për këtë mu desh që të largohesha.

Këta nuk dinë sesi ta zbatojnë ligjin, marrin në telefon shefin për ta pyetur sesi të veprojnë. Nuk e di se ku i kanë gjetur ata jurist që kanë hartuar atë akt normativ. Ndalimi i grumbullimeve me më shumë se 10 veta është publikuar në fletoren zyrtare në datë 2 Dhjetor, ndërsa dalja pas orës 22:00 të mbrëmjes nuk është bërë ende publik, dhe për këtë askush nuk mund të gjobitet.

Policia që në momentin e djalimit të djalit ka qenë në shkelje të ligjit. Nëse do të isha familjar i viktimës do të kisha marrë hetues privat, dhe do të kisha kërkuar të gjithë kryerjen e ekspertizës”, u shpreh Meksi, ndërsa tregoi dhe eksperiencën e tij me marrjen e gjobave.

Me humor Meksi tha se ai është në garë me avokatin tjetër Altin Goxhaj se kush prej të dyve do të marrë më shumë gjoba për maskën. Avokati tha se është i gatshëm që të ndihmojë falas të gjithë ata qytetarë që duan të bëjnë kallzim në drejtim të akteve të Policisë, ndërsa shtoi se derimë tani asnjë prej gjobave nuk i është vendosur në faturën e dritave.

“Unë do të mbrohem në mënyrë civile ndaj OSHEE, që nuk besoj se do të vinë ndonjëherë, pasi akti është i përpiluar në shkelje me ligjin. Kam marrë gjithsej 7 gjoba, që më kanë shkuar me një vlerë 250 mijë lekë. Nuk besoj se do të më vijë ndonjëherë gjobë në faturën e dritave. Unë mund të them që unë zbatoj ligjin, dhe kushdo që e mban maskën me dëshirë bën mirë që ta mbaj. Në çdo rast nëse unë shkoj për gjobat në Gjykatë unë do ta fitoj çështjen, pasi edhe në mënyrë administrative akti qeverisë ka probleme”, shprehet më tej Meksi.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re