Rreth 1milionë persona mbushën rrugët e Francës të enjten në ditën e 11 të grevave kundër reformës së pensioneve të qeverisë së presidentit Macron.

 

Autoritetet bënë me dije se 154 punonjës policie mbetën të lënduar, ndërsa 111 protestues u arrestuan pas përplasjeve të forta, kryesisht në Paris dhe Marsejë.

 

Demonstratat e punonjësve të sektorëve të arsimit, energjisë dhe transportit vijuan deri në orët e vona.

 

Disa protestues në kryeqytet hodhën gurë dhe bojë drejt policisë, thyen xhamat e një banke dhe një dyqani dhe u vunë flakën disa pronave publike, përfshirë edhe një nga restorantet e preferuara të presidentit Macron.  ‘La Rotonde’ është pikërisht vendi ku Macron festoi fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale të vitit 2017.

 

Policia iu përgjigj protestuesve me gaz lotsjellës dhe plumba gome.

 

Ndryshimet në reformën e pensioneve parashikojnë se nga viti 2027, njerëzit do të duhet të punojnë më gjatë për të marrë përfitime të plota të pensionit shtetëror, por qeveria ka thënë se ligji i pensioneve është i nevojshëm për të parandaluar një deficit financimi.

 

Ndërkohë sindikatat e punonjësve duket se nuk kanë në plan të tërhiqen. Greva e radhës mbarëkombëtare është lajmëruar të mbahet më 13 Prill.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re