Shqipëria ka vendosur rregulla të forta ndaj të gjitha subjekteve që jo vetëm hapen nesër, por që kanë vijuar punën edhe më parë. Madje, sipas udhëzimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Shqipëria ka miratuar protokollet e sigurisë higjieno-sanitare.

Protokollet janë në tre ngjyra; e kuqja, e verdhë dhe jeshile. Ato protokolle që përmbajnë ngjyrën e kuqe konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, ndërsa ato me të verdhë janë më pak në risk dhe me zonë të gjelbër mund të konsiderohet pas asnjë rrezik, me përjashtim të zbatimit të rregullave të përgjithshme.

Kësisoj, Shqipëria ka përcaktuar kontrollet e sigurisë shëndetësore për të gjitha subjektet duke bërë klasifikimin përkatës.  Në rastin e protokollit me ngjyrë të kuqe, ose rist të lartë administratori, apo personi fizik tregtar kryen çdo ditë vlerësimin për prezencën e simptomave të COVID-19 në personat e punësuar. Në rast të simptomave nuk duhet lejuar në asnjë rast vijimi i aktivitetit nga personi përkatës dhe duhet të raportohet menjëherë si rast në numrin 127.

Nëse personi shfaq simptoma ndërkohë që është duke punuar apo pas punës, ky person duhet të karantinohet në një ambient të veçuar të objektit derisa të merren masat përkatëse nga shërbimet shëndetësore.

Për çdo rast, sipas rregullores, administratori lajmëron menjëherë strukturat përkatëse, veçanërisht Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe Institutin e Shëndetit Publik.

Por ka edhe një kusht, nëse simptomat e vërejtura janë të rënda. Në këtë rast, pronari aktivizon protokollin e karantinimit të punonjësit, si dhe merr masa për evakuimin e gjithë personelit jashtë objektit. Personeli i evakuuar jashtë objektit të mos lejohet të lërë perimetrin pa ardhur strukturat shëndetësore për të kryer vlerësimin.

Personat e punësuar kryejnë çdo ditë vetëvlerësimin personal nëse kanë simptoma të COVID-19 sipas checklistës së miratuar, pra të shenjave të sëmundjes që tashmë njihen. Sipas rregullimit, asnjë person me temperaturë 37.5 nuk duhet të lejohet të hyjë në subjekt dhe se çdo punonjës duhet të deklarojë tek pronari, nëse ka patur apo jo kontakt me persona të cilët rezultojnë apo kanë rezultuar pozitiv me COVID-19.

Çdo punonjës që vëren shenja klinike gjatë qëndrimit në banesë nuk duhet të paraqitet në punë dhe duhet të lajmërojë menjëherë administratorin dhe mjekun e familjes.

Gjithashtu kërkohet që subjekti lejohet të veprojë vetëm në orarin e caktuar nga dispozitat ligjore dhe se vajtje-ardhja në punë me këmbë kryhet duke ruajtur distancën 2 metra dhe jo duke krijuar grupime. Në rast të lëvizjes me automjet duhet mbajtur detyrimisht maska dhe dorezat dhe të shmanget prekja e sipërfaqeve.

Automjeti dezinfektohet dhe ajroset çdo ditë. Për lëvizjen me automjet të zbatohen masat e publikuara nga Policia e Shtetit. Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment: doreza mbrojtëse, maska dhe higjenizues duarsh me mbi 60% alkool. Dezinfektimi i duarve kryhet menjëherë pas ardhjes në punë si dhe para dhe pas çdo klienti që shërbehet.

Subjekti duhet të sigurojë vazhdimisht dhe me mjetet e tij në çdo moment: sapun, letër për pastrimin e duarve, dezinfektantë për pastrimin e sipërfaqeve, si dhe kosha plehrash të mbyllur të cilët duhen pastruar çdo ditë.

Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të përdorin në çdo moment dorezat mbrojtëse. Kujdes duhet treguar në prekjen e mjeteve të punës pas shërbimit të klientit. Fillimisht duhen dezinfektuar dorezat.

Personeli i punësuar dhe personat e tjerë klientë duhet të mbajnë në çdo moment maskën mbrojtëse duke mbuluar hundën dhe gojën. Rekomandohet përdorimi i maskave sa më profesionale apo mjekësore.

Në hyrje, jashtë ambientit, çdo klient pajiset me veshje plastike (qese) një përdorimshe për këpucët, të cilat hidhen në kosh në dalje. Veshje plastike për këpucët përdorin edhe ofruesit e shërbimit nëse nuk përdorin këpucë, shapka të brendshme sterile.

Në ambientet me hapësirë mbi 40 metra katrorë mund të lejohet proporcionalisht një klient tepër për çdo 10 metra katrorë shtesë ambienti duke riorganizuar vendosjen për ruajtjen e distancës midis klientëve.

Subjekti shërben vetëm me prenotim online apo me telefon dhe nuk lejohet krijimi i radhëve të pritjes në brendësi të ambientit apo jashtë tij. Rekomandohet shmangia e parasë cash dhe ofrimi shërbimeve me pagesë me kartë krediti. Pas çdo veprimi me cash/karta krediti duhet dezinfektuar duart.

Në çdo rast të sigurohet ventilim (ajrimi) natyral të paktën 4 herë në ditë për 10 minuta. Subjektet të marrin masat përkatëse për ndërhyrje në sistemet e ventilimit ku të kalohet në modalitetin e ajrit natyral apo përmes shtimit të dritareve. Në momentin e ajrosjes subjekti nuk ofron shërbim për asnjë klient dhe për këtë subjekti organizon prenotimet për të respektuar detyrimin e mësipërm.

Në faqen e-albania, janë përcaktuar të gjitha ngjyrat e kodeve të sigurisë, duke bërë që çdo biznes i lejuar me vendim qeverie, apo akt normativ të ushtrojë të drejtën duhet të njihet edhe me protokollin e sigurisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re