Dy ditë pasi Partia Demokratike dorëzoi në SPAK dokumente shtesë për çështjen e inceneratoreve, lideri i opozitës, Sali Berisha, denoncoi një element të ri në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Gjatë bashkëbisedimit të përjavshëm me gazetarët Berisha deklaroi se ka përpjekje për të futur para me origjinë të dyshimtë në këtë incinerator.

 

SALI BERISHA

“Sot, me datën 20.10.2023, aksionerët e kompanisë Geogenix BV, kanë ardhur në Tiranë për të zhvilluar një takim pranë Agjencisë së Pasurive të Sekuestruara, pasi kërkojnë të sjellin 100 milionë euro në Shqipëri, me burime të paqarta, për të bërë investime te inceneratori i Tiranës.”

 

Paralelisht me denoncimet publike dhe depozitimin e padive në SPAK opozita ka vendosur të radikalizojë betejën politike kundër qeverisë.  Ish-kryeministri shpjegoi se kjo mazhorancë ka rrëzuar deri tani 6 kërkesa të opozitës për komisione hetimore, edhe pse kushtetuta ia garanton pakicës parlamentare këtë të drejtë, 31 projekt-ligje të depozituara nga opozita janë injoruar, ministrat nuk iu kthejnë përgjigje kërkesave të deputetëve dhe momenti më flagrant sipas Berishës është përcaktimi i përfaqësuesit të opozitës në komisionin e reformës zgjedhore.

 

“Ne do qëndrojmë në parlament me protestën tonë më të fuqishme. Dhe kjo protestë, ju garantoj se nuk do mbetet vetëm në sallën e parlamentit. Dora dorës, gradualisht ajo do shtrihet në rrugë, në sheshe, në institucionet e tjera të vendit.”

 

Berisha nuk përjashtoi edhe opsionin e grevës së urisë si formë reagimi kundër qeverise Rama.

 

 

“Absolutisht greva e urisë është përmendur, ashtu siç thoni ju. Plotësisht!  Ka gatishmëri të vërtetë dhe është një opsion. Nuk ka diskutim, kjo është betejë. Ne e kemi nisur këtë, kur ai de facto na asgjësoi ne në parlament. Kur arriti gjer aty sa të na caktojë përfaqësuesin tonë në komisionin e reformës elektorale. Çfarë mund të presësh më shumë se kaq? Ka një eliminim më të fortë se ky?”

 

Gjatë kohës që Sali Berisha ishte kryeministër opozita zhvilloi dy greva urie; e para u zhvillua në vitin 2008 brenda parlamentit nga Ilir Meta dhe të gjitha partitë e vogla; e dyta u zhvillua në 2010 në bulevard para kryeministrisë nga Partia Socialiste dhe zgjati 20 ditë. Në të dyja rastet Sali Berisha nuk pranoi asnjë prej kërkesave të grevistëve të të dyja këto aksione politike u mbyllën pa rezultat.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re