Hetimet e akuzës shqiptare kanë nxjerrë në pah fakte të reja për hyrje daljet e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe dyshimet e tyre se mes tij dhe biznesmenit Sota ka lidhje të ngushta aq sa përdornin automjetet e njëri tjetrit.
 
Në argumentet e prokurorisë theksohet se më datë 24 Shkurt të këtij viti Orest Sota ka dalë nga Shqipëria përmes pikës së Muriqanit me një automjet të Ministrisë së Brendshme e regjistruar dhe në inventarin e këtij institucioni.
 
Ndërkohë po me të njëjtin mjet, sipas Prokurorisë ka disa hyrje-dalje Gentian Ceka, i cili është shoferi i Tahirit.
 
5 muaj më vonë në 7 korrik, Saimir Tahiri ka dalë nga Shqipëria përmes pikës kufitare të Murriqanit, me automjetin që është i regjistruar në emrin e Ardit Sotës, vëllait të Orestit.
 
Ai është kthyer dy ditë më vonë nga e njëjta pikë me një tjetër mjet, këtë herë në emër të shoqërisë “IKONA” me pronar Lefter Sotën, babai i Orestit.
 
Por lëvizjet e ish-ministrit të brendshëm janë bërë dhe me automjete të tjera. Në 2 gusht 2016 ish-ministri i brendshëm ka zgjedhur portin e Durrësit për të lëvizur jashtë vendit, ketë herë më një tjetër mjet në emër Endri Hasa nga Elbasani, i cili sipas akuzës s’ka lidhje me familjen Sota.
 
Ai është kthyer me datë 7 gusht nga e njëjta pikë, por nuk ka të regjistruar mjetin me të cilin është kthyer. Dyshimet e akuzës bëjnë fjalë për shkelje të rregullave të pikave të kalimit kufitar në këtë rast.
 
Me datë 02 gusht 2016 edhe Orest Sota ka dalë nga Porti Durrës, por nuk ka të dhëna për mjetin apo mënyrën e lëvizjes së tij. Ai është kthyer me 7 gusht, nga e njëjta pike dhe e njëjta linjë si e ish-ministrit Tahiri.
 
Për prokurorinë të gjitha këto lëvizje krijojnë bindjen se ish-ministri i brendshëm dhe biznesmeni Sota kanë pasur lidhje të ngushta me njëri tjetrin, ndërsa paratë e gjetura në automjetin e biznesmenit mund të jenë të Tahirit.
 
Diçka e tillë përforcohet dhe nga dëshmia e dhënë në prokurori e shoferit të ish-ministrit. Ai tha se patentat  e Tahirit ishin harruar aty prej tij, por për akuzën lindin dyshime se edhe paratë mund të jenë të Saimir Tahirit, ndërsa janë lënë aty nga shoferi i Tahirit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re