Gazetar, publicist, shkrimtari dhe pedagogu nga Kosova, Milazim Krasniqi reagon ashpër pas publikimit të sotëm të kryeministrit Edi Rama, ku Kosova tregohej si pjesë territoriale e Serbisë.

Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi shprehet se ky nuk është një gabim me hartën, por një provokim i kryeministrit.

Sipas Krasniqit, detyra e Ramës është vetëm shkatërrimi.

“Edi Rama nuk ka gabuar me hartën, ai thjesht ka provokuar. Kushdo që e njeh stilin e tij arrogant e hakmarrës, e ka lehte ta kuptojë këtë provokim të tij të radhës. Me këtë rast Rama ka përcjellë idenë e tij arrogante: nëse nuk e doni miniShengenin, atëherë ju jeni në Serbi. Kjo është e tëra. As mos e akuzoni, as mos e mbroni. Ai është i atillë. Siç më tha para pak ditësh në Tiranë, një shok i tij i shkollës, detyra e Ramës është vetëm shkatërrimi. Ka një njoftim të qartë në Shpalljen finale Hyjnore për udhëheqësit mizorë, pra, se cilëve popuj u hipin udhëheqësit mizorë mbi krye”, shkruan Krasniqi.

Postimi i sotëm i kryeministrit solli reagime të forta nga Tirana dhe Prishtina, ndërsa kreu i qeverisë nuk kërkoi as falje, por u mjaftua me një fshirje në Facebook.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re