PS dhe PD i kanë hapur rrugë SPAK-ut për arrestimin e Arben Ahmetajt. Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat tha se në aferën e inceneratorëve janë të përfshirë edhe persona të tjerë. Ai tha se SPAK duhet ta çojë hetimin deri në fund dhe se Ahmetaj të bashkëpunojë me drejtësinë.

“Nuk e deklaruan vendndodhjen e Ahmetajt. Pohuan se kanë komunikuar me zotin Ahmetaj dhe se do të kthehet ndërkohë që qëndrimi ynë ishte i qartë që Ahmetaj duhet të ishte sot në mbledhje dhe të ishte në dispozicion të drejtësisë. Një lutje për personin nën hetim të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Kjo aferë të zbardhet e plotë. Dhe është rasti që Ahmetaj, pasi ka abuzuar me pushtetin, t’i bëjë një shërbim qytetarëve që i dhanë besimin për të qenë në qeverisje.”, tha Bardhi.

Ndërkohë i pyetur për informacionet nëse Ahmetaj ndodhet në Kanada, Bardhi tha:

“Në Kanada nuk kam informacion konkret, por kam bërë një pyetje për të marrë më shumë të dhëna, indicjen e mora nga informacionet që qarkullojnë…Të jeni të sigurt që destinacioni final, nuk do të jetë Kanadaja, nëse vërtetë ka për qëllim që t’i shmanget drejtësisë.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re