Në 9 Qershor, parlamenti përmes forcës së kartonit do të vendosë ose jo shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e presidentit. Tre ditë nga dalja e raportit përfundimtar mbi shkeljet kushtetuese që sipas mazhorancës qeverisëse, kreu i shtetit, bëri para dhe gjatë fushatës elektorale, konferenca e kryetarëve nuk priti gjatë për ta çuar atë për votim.

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

Kemi dakordësuar me kryetarët e tjerë të grupeve parlamentare dhe kohën në dispozicion të deputetëve për diskutimin dhe më pas për të proceduar me procedurat e shkarkimit të presidentit.

 

Për të shkarkuar Ilir Metën, socialistëve i duhen 94 vota.  Ajo nuk i ka por e shkruara tregon se vota e opozitës parlamentare është bërë njësh me atë të socialistëve, sa herë këtyre të fundit i është dashur vota e cilësuar pro. Nëse parlamenti do të votojë shkarkimin e presidentit, institucioni që do të japë verdiktin final është Gjykata Kushtetuese. Do t’i takojë asaj nëse çështja është kryesore dhe të nisë shqyrtimin jashtë radhe.

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR TE PS

Do të vlerësojë nëse shkeljet e konstatuara nga ana jonë janë shkelje të rënda kushtetuese të cilat hyjnë në parashikimet e nenit përkatës të kushtetutës për shkarkimin e presidentit. Nuk do të bëja asnjë koment për Gjykatën Kushtetuese sepse duhet të mësohemi që vendimet e gjykatave janë të formës së prerë dhe ato nuk diskutohen apo interpretohen nga politikanët.

 

Nga hetimi i aktivitetit të kreut të shtetit para dhe gjatë fushatës elektorale, në raportin përfundimtar, komisioni parlamentar hetimor për shkarkimin e presidentit arriti në konkluzionin se kreu i shteti shkeli disa herë kushtetutën.

 

Përmes intervistave televizive, deklaratave publike dhe qëndrimeve në rrjetet sociale, sipas mazhorancës, Ilir Meta ndikoi në aktet e dhunës para fushatës elektorale dhe u përfshi në të.

 

Nismës së socialistëve për ta shkarkuar, kreu i shtetit i është përgjigjur se Ilir Meta do të jetë në zyrë deri në fund të mandatit të tij, në Korrik të 2022.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re