VALENTINA MADANI/ Partia Socialiste festoi dje 33-vjetorin e themelimit të saj, e cila që prej vitit 2005 drejtohet nga Edi Rama. Figura të spikatura, ish-deputetët apo edhe funksionarë të lartë, të cilat kanë dhënë kontributin e tyre ishin pjesëmarrës në këtë aktivitet në selinë e Partisë Socialiste.

Në event nuk munguan edhe ata që quhen “xhaketat e vjetra” të PS, që tashmë janë tërhequr nga politika aktive. Rama u pa teksa përqafoi profesorin E’them Ruka, një ndër kontributorët e rëndësishëm të PS dhe një nga rrënjët e forta të Partisë Socialiste. Po gjatë eventit ra në sy shtrëngimi i duarve me Gramoz Ruçin, Arta Daden, por edhe me ish-eksponentë të tjerë të PS, Valentina Leskaj, Namik Doklen, Musa Ulqinin, Spartak Brahon etj. Ndërsa u vu re mungesa e liderit historik, Fatos Nano.

Gjatë festës kryeministri Rama komunikoni me të pranishmit, në një moment pati edhe një përqafim mes tij dhe Gramoz Ruçit, një prej figurave kryesore të PS. Më herët, kryesocialisti Rama uroi me një mesazh online 93 mijë anëtarët e partisë që ai drejton, por edhe mbështetësit e kësaj force që sipas tij e kanë bërë këtë parti mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës “fitore”. Socialistët janë në pushtet prej 2013-ës.

“Mirëmëngjesi, me një përqafim çdonjërit prej 93 mijë anëtarëve të Partisë Socialiste në këtë 33 vjetor të lindjes së saj, si edhe me një falënderim plot mirënjohje për simpatizantët e zgjedhësit që e kanë bërë partinë tonë forcën më të madhe të shqiptarisë, mishërim të Shqipërisë Europiane dhe sinonim të fjalës fitore, si edhe, gjithashtu, me një urim nga zemra të gjithë popullit të Kosovës për përvjetorin e hyrjes së forcave të NATO-s krah për krah me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan Kryeministri në Facebook.

Kurse sekretari i përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, u shpreh se sfida e radhës e Partisë Socialiste është fitorja e mandatit të katërt qeverisës si dhe hapja e partisë.

“33 vite të kësaj partie kanë shërbyer që sot PS të vijë në këtë festë e bashkuar dhe e fortë, e përgatitur për garat e ardhshme elektorale, një parti që ka shtuar në maksimum numrin e anëtarëve të saj, kemi kaluar në 100 mijë anëtarë partie.

Kemi një rezultat spektakolar në 10 garat e fundit elektorale, për një parti që ka dëshmuar të jetë e hapur dhe të jetë e gatshme për çdo betejë elektorale. PS ka qenë një shkollë jo vetëm për ne që kemi aderuar në të, por për të gjithë politikën shqiptare. Nga pikëpamja elektorale, fitorja e mandatit të katërt, nga pikëpamja organizative, hapja e partisë, mosngelia në status quo, të mos kënaqemi nga rezultatet fituese dhe të kuptojmë se çfarë nuk shkoi mirë për ta bërë më mirë në garën tjetër. Festat, janë të mirëpritur kushdo që ka diçka për të uruar dhe për ta ndarë me PS-në. Kush e ka ndjerë veten se kishte diçka për të uruar sot në këtë parti, është sot me ne”, deklaroi Klosi.

Kurse Gramoz Ruçi u shpreh se PS ka ditur që të rritet dhe të bëhet më e re duke përfshirë elementin e ri. Më tej, Ruçi vlerësoi lidershipin e Partisë Socialiste për të cilën tha se ka merita të veçanta për vizionin dhe energjinë që ka.

“Kjo parti bën përjashtim nga të gjitha partitë simotra të vendeve të lindjes, të cilat, një pjesë e tyre janë inekzistente, kurse ajo është 18 vjet në pushtet dhe është një rezultat shumë pozitiv, ashtu sikundër krahasuar me motrat simotra të Perëndimit, përjashto 2-3 vende, janë në opozitë. Partia Socialiste ka ditur që në këto 33 vjet të rritet, të bëhet më e re, të përfshijë në gjirin e saj elementin e ri dhe veçanërisht zonjat. Sot 50% e strukturave drejtuese janë shoqet. Lidershipi i PS-së ka merita të veçanta për vizionin që ka, ka merita të veçanta për ambicien që ka për të bërë dhe për të lënë gjëra dhe është për ta vlerësuar për energjitë që ka për të qenë i pari që ngrihet dhe i fundit që lë zyrën për të pushuar”, deklaroi Ruçi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re