Flamur Golemi, kandidati i Partisë Socialiste për Gjirokastrën është rikonfirmuar në krye të bashkisë. Gazetari Elidon Berberi raporton për ABC News se Golemi ka arritur të sigurojë 10430 vota kundrejt rivalit të tij nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, i cili ka marrë 4463 vota.

Në një deklaratë për mediat, Golemi tha se do të punojë më shumë se katër vitet që kaluan për të gjithë pa dallim partiak. Ai shtoi se fushata ka qenë ‘fair play’ dhe se është takuar me kundërshtarin, ku i kanë uruar suksese njëri-tjetrit.

“Qytetarët gjirokastritë folën. Ishte një proces shumë i qetë, një periudhë zgjedhore ndryshe. Të marrësh votën dhe besimin e qytetarëve gjirokastritë është një përgjegjësi edhe unë besoj fort se do të punoj edhe më shumë se katër vitet që kaluan për ta bërë Gjirokastrën alternativë të parë për të rinjtë dhe të rejat e këtij qyteti.

Do të punoj si për ata votues që më mbështetën por edhe për ata që zgjodhën të votonin kandidatin kundërshtar. Për hir të së vërtetës kemi qenë një një fushatë ‘fair play’ dhe i uruam suksese njërit-tjetrit.”, tha Golemi.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re