VALENTINA MADANI/ Socialistët do të qeverisin për 4 vitet e ardhshme edhe pushtetin vendor. Janë 53 bashki të fituara nga socialistët ndërkohë që të vetmet ku kryebashkiaku do të jetë i koalicionit “Bashkë Fitojmë” janë shtatë dhe të gjitha bashki të vogla.

Një bashki është fituar nga Mega. Për një tjetër mandat, PS do të drejtojë të gjitha bashkitë e mëdha si për nga pesha ekonomike dhe ajo politike. Surpriza e këtyre zgjedhje ishte Shkodra. Në të parën fitore në bashkinë që prej tre dekadash pas rrëzimit të diktaturës është qeverisur nga Partia Demokratike, triumfi i socialistëve ishte edhe te rezulati, me një diferencë prej 11 mijë votash nga humbësi.

14 maji përsëriti të njëjtin rezultat me atë zgjedhjeve të pjesshme vendore të një viti më parë për Partinë Demokratike. Kryetari i komanduar, Enkelejd Alibeaj, është humbësi i madh në këto zgjedhje. Jo vetëm nuk arriti të fitonte asnjë bashki në 14 ku garoi, por në rang vendi për zgjedhjen e kryebashkiakëve të rinj është forcë e tretë politike, me përjashtim të Dimalit dhe Mallakastrës. Rezultatin më të thellë ndaj kundërshtarëve të tyre, Partia Socialiste, njëjtë si në vendoret e 2015 e ruajti në Tiranë.

Nëse tetë vite më parë diferenca mes Erion Veliaj dhe kundërshtarit të asaj kohe Halim Kosova ishte rreth 40 mijë vota, në këto zgjedhje ajo është edhe më e lartë. Në mandatin e tretë kryebashiaku në detyrë diferenca me kundërshtarin kryesor Belind Këlliçin e “Bashkë Fitojmë” është mbi 58 mijë vota. Fitorja e socialistëve është po aq e konsiderueshme edhe në Durrës e Elbasan, dy bashkitë për të cilat Sali Berisha dhe Ilir Meta deklaroheshin të sigurtë në fitore. Nga 14 maji socialistët fituan Shkodrën, por humbën Himarën për pak vota, vetëm 19. Do t’i takojë të ardhmes, nëse Fredi Beleri do ta drejtojë atë nga qelia apo jo.

Deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata, që kandidati i “Bashkë Fitojmë” të marrë mandatin, ai do të duhet të betohet para Këshillit Bashkiak. Për këtë i duhet leja e gjykatës sa për të kryer betimin dhe më pas të vendosë, sesi do ta drejtojë Himarën për aq kohë sa është i arrestuar e në burg. Një nga mundësitë është që detyrat e tij t’ia delegojë nënkryetarit, deri sa drejtësia të thotë fjalën e saj. Supriza e dytë e këtyre zgjedhjeve ishte Arlind Qorri. Edhe pse ishte gara e parë elektorale, partia e tij “Lëvizja Bashkë” është forcë e tretë politike në garën për kryebashkiakë të Tiranës, duke lënë pas kandidatin e Partisë Demokratike, Roland Bejko.

Procesi zgjedhor tashmë ka hyrë në fazën e dytë, atë të numërimit të votave për këshillat bashkiakë. Nga të dhënat e administruara nga KQZ, vihet re se PS udhëheq edhe në këtë proces. Partia Socialiste merr 33 anëtarë të Këshillit Bashkiak në Tiranë, nga 58 gjithsej kur janë numëruar 663 nga 941 kuti me votat për subjektet politike. Sipas numrit të votave, PS ka 33 vende, Bashkë Fitojmë 16, PD 4, PSD 3, PR 1 dhe LZHK 1. Në Tiranë fitoi kandidati i PS-së Erion Veliaj, i cili mori një mandat tjetër si kryetar i Bashkisë përballë 5 kandidatëve të tjerë. Veliaj fitoi bindshëm, me një diferencë të madhe votash ndaj kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Belind Këlliçi, i cili u rendit i dyti.

Në Durrës kryeson sërish PS me 28 mandate, “Bashkë Fitojmë” me 12 mandate dhe PD me 7. Në Elbasan ka përfunduar numërimi dhe ps ka siguruara 28 vende, e ndjekur nga opozita me 13 të tilla dhe PD zyrtare me 7 mandate. Ndërsa në Shkodër rezultati duket më i ngushtë: PS 18 mandate, 13 “Bashkë Fitojmë”, 12 PSD dhe 5 mandate PD. Socialistët udhëheqin bindshëm edhe në Fier, Vlorë dhe Korçë. Në Himarë, PS numëron 10 mandate dhe 6 i ka koalicioni opozitar. Ndërkohë në Lezhë kryeson PKD me 10, PSD 9, BF 6 mandate dhe PS me 5. Ndërkohë nëHimarë PS ka 10 mandate, BF 6 dhe PD1.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re