Ish kryeministri Sali Berisha ka bërë një reagim nga selia e Partisë Demokratike pas publikimit të rezultateve zgjedhore në shumicën e bashkive në vend ku fituese rezulton Partia Socialiste.

Berisha u shpreh se e gjitha është një farsë elektorale e karakterizuar nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner. Ai i bëri thirrje numëruesve të opozitës në qendrat ku po vijon numërimi të bëjnë detyrën e tyre në mbrojtjen e votës.

“Janë të panumërta aktet, veprimet që dëshmojnë se gjatë këtyre muajve, narkoshteti zbatoi programin e asgjësimit të lirisë së votës, të blerjes së saj dhe terrorizimit të zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë.

Është një moment agoninë për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale e karakterizuar nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner. Jam këtu gjithashtu për të bërë thirrje për të gjithë përfaqësuesit e opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, mbasi është në parimin dhe qëndrimin tonë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë.

Dënoj me forcë dhunën e përdorur në Kurbin ndaj një komisioneri për faktin e vetëm se duan me çdo kusht të diktojnë, të ndryshojnë rezultatin në këtë bashki si në shumicën e bashkive të vendit”, deklaroi Sali Berisha.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re