Lulzim Basha në një konferencë për mediet, pasi Kuvendi i rrëzoi amendamentin ku ishte kërkuar 50 mln dollarë ndihmë ushtarake për Kosovën nga buxheti i shtetit, tha se strategjia e mbrojtjes kombëtare duhej t’i nënshtrohej një debati publik.

Kjo gjë nuk ndodhi, pasi seanca e sotme plenare u shoqërua me kaos dhe zhurmë, pasi deputetët opozitarë vijuan me aksionin e tyre.

Basha: Nuk dua të bëj Kasandrën, por nuk ka detyrë më të madhe për një kryefamiljar, qytetar të përgjegjshëm dhe aq më shumë për një përfaqësues politik të vendit, se sa të përgatitet për më të keqen, kur e keqja është shfaqur në horizont. Kjo është arsyeja pse depozitova amendamentet. A përbën kërcënim për Shqipërinë minimi i sigurisë në Kosovë? Është e pafalshme që 6 muaj pas sulmit terrorist në Banjskë kjo pyetje nuk shtrohet. Dhe kur shtrohet hidhet poshtë pa asnjë debat. A përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dobësimi i strukturave mbrojtëse të sigurisë së Kosovës. A ka Shipëria mundësi t’i vijë në ndihmë? A duhet të parashikojmë në buxhetin tonë të mbrojtjes edhe një buxhet për mbrojtjen e Kosovës? Ky propozim u përfshi në amendamentin që u çua në Kuvend. Falë teatrit politik, as nuk u diskutua, por u hodh poshtë. Akt dëshpërues, tregon në çfarë bataku lundron qeveria. Votimi sot do të shtronte rrugën për amendimin e buxhetit për të alokuar 50 milion euro ndihmë ushtarake për Kosovën.

Basha tha se rreziku më i madh për vendet është sabotimi nga brenda për sigurinë. Sips tij, korrupsioni është jo thjesht një kancer për vendin e ekonominë, por është një rrezik permanent për sigurinë kombëtare./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re