Ende pa u njohur zyrtarisht, propozimi i Enkelejd Alibeaj për grupin parlamentar të demokratëve për zgjedhjen e presidentit të ri, mori refuzimin e parë të socialistëve.

 

Taulant Balla një prej tre të mandatuarëve për t’u ulur në tryezën e bashkëpunimit me opozitën parlamentare, e cilësoi si një draft që i heq të drejtën e propozimit të kandidatëve mazhorancës qeverisëse.

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR PS

 

Ajo që jam njohur në media. Propozimi i tyre është një propozim maksimalist. Më duket pavend që të vish në një tryezë dhe t’i thuash tjetrit ti nuk ke të drejtë të propozosh. Ne nuk duam të jetë një president i yni por një president i asnjë partie politike.

 

Me gjithë këtë mosdakordësi të parë, ende pa nisur ligjërisht procesi i zgjedhjes së kreut të ri të shtetit, socialistët janë të gatshëm për negociata.

 

TAULANT BALLA

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR PS

 

Me të përfunduar konferencën e kryetarëve nesër të gjejmë një orë, të ulemi dhe të diskutojmë. Unë mendoj se ashtu siç është propozuar është shumë i vlefshëm për tu propozuar në rastin e avokatit të popullit. Në rastin e propozimit të presidentit, kemi edhe ne të drejtën të propozojmë, dhe këtë nuk po e kërkojmë, këtë e kemi.

 

Të martën, në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, do të vendoset nëse 16 maji do të jetë data e parër për zhvillimin e raundit të parë të votimit për pasuesin e Ilir Metës.

 

Angazhimi i mazhorancës është që fill pas mbledhjes të nisin negociatat për emrin për president, ku fillimisht do të duhet të bien dakort për profilin dhe më pas për emrin e mundshëm të të parit të shtetit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re