VALENTINA MADANI/ Mazhoranca socialiste u shpërngul dje në një resort privat në Shëngjin, në një takim informal me 70 funksionarë.

Kabineti qeveritar, grupi parlamentar dhe sekretariati i kësaj force diskutuan prej mëngjesit të djeshëm për organizimin si në qeverisje, ashtu edhe në Parlament e në parti. Mbledhja, e cila do të vazhdojë edhe sot është konceptuar e ndarë në disa panele diskutimi. Kryeministri Edi Rama në mbledhjen e djeshme informale të qeverisë kërkoi që të bëhet bilanci në disa aspekte politike.

Ai caktoi disa pika paraprake mbi të cilat kërkoi që të bëhet një raportim nga secili prej të pranishmëve në mbledhje. Forcimin e strukturave të Partisë Socialiste në bazë, mësohet se kryeministri Edi Rama e cilësoi të rëndësishme, ndërsa burime nga brenda mbledhjes bëjnë me dije se Rama ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vit kalendarik.

Pas fjalës së Ramës, u diskutua për riorganizimin e grupit parlamentar për sesionin e ri që nis javën e ardhshme, por edhe për platformën e riorganizimit politik, të prezantuar dhe në kongresin e 8 dhjetorit. Gjatë pasdites u analizuan rezultatet e sondazheve për burimet njerëzore në administratë, për objektivat e inovacionit, procesin e derregulimit të shërbimeve si dhe për projektin pilot të regjistrimit të tokës. Pjesa e dytë e mbledhjes iu dedikua aspekteve teknike.

Ministrat do të shpalosin synimet kryesore për vitin 2024. Kësaj mbledhjeje iu bashkua edhe Blendi Gonxhja, i propozuar nga kryeministri për të mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Megjithëse nuk është dekretuar ende si ministër, Blendi Gonxhja u bë pjesë e mbledhjes, pasi përdorimi teknologjisë fushë të cilën ai do të mbulojë, është prioritet i qeverisë, duke e shtrirë të tenderat dhe prokurimet publike.

E pranishme në mbledhje ishte edhe Elva Margariti. Paraditja e sotme për qeverinë do të jetë e dedikuar vetëm për ministrat që do të prezantojnë prioritetet e këtij viti.

DISKUTIMET

Mësohet se gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, i pari që mbajti fjalën ishte kreu i qeverisë dhe pas tij folën Blendi Klosi, për riorganizimin e PSsë dhe kreu i deputetëve, Bledi Çuçi, për sfidat që maxhoranca ka në Kuvend. Viti 2024 është me rëndësi për maxhorancën, pasi është një vit para zgjedhjeve parlamentare, ndërsa shton se zgjedhjet e parakohshme janë përjashtuar si mundësi nga kryeministri Rama.

Në mbledhjen informale po kalohet në skaner puna e ministrive, ministrave dhe kabinetit qeveritar. Mësohet se gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama e ka vënë theksin në përmirësimin e punës të komisioneve parlamentare dhe një forcim të më tejshëm të partisë në bazë. Kjo kërkesë e kryeministrit erdhi pas fjalës të kryetarit të grupit parlamentar, Bledi Çuçi.

Të njëjtat burime deklaruan se Bledi Çuçi është fokusuar te seancat e shkuara plenare, duke i bërë një bilanc sa interpelanca janë zhvilluar, sa mocione me debat, projektligjet e depozituara në Kuvend, nga të cilat sa prej qeverisë e sa prej deputetëve. Bleci Çuçi më tej ka analizuar edhe prezencën e deputetëve në seanca plenare, mbledhje grupi e komisione. Në këtë mbledhje janë diskuar po ashtu takimet e ministrave me deputetët. Sa diskutime ka pasur nëpër komisione për Buxhetin dhe Paketën Fiskale. Në fokus të analizës së Bledi Çuçit ishte edhe performanca e deputetëve në debate publike, diskutimet në seanca e komisione dhe prezenca në zonat elektorale.

Pjesë e diskutimit ishte vijimësia e jetës parlamentare pas incidenteve dhe bllokimit të opozitës. Ligjet në Kuvend që duan shumicë të cilësuar, si amnistia e të dënuarve apo të tjera nisma që duan 84 vota. Po ashtu, në qendër të diskutimeve kanë qenë edhe prezenca e deputetëve në seancat plenare, mbledhje grupi dhe komisione, takimet e ministrave me deputetet.

Një tjetër pikë ka qenë edhe pjesëmarrja në diskutime nëpër komisione për Buxhetin dhe Paketën Fiskale. Kërkesat për masa disiplinore ndaj deputeteve, sa janë kërkuar e sa janë miratuar. Performanca e deputetëve në debate publike, diskutime në seanca e komisione dhe prezenca në zonat elektorale. Një tjetër pikë është ajo sesi do të vijohet me jetën parlamentare pas incidenteve dhe bllokimit të opozitës.

Ligjet në Kuvend që duan shumicë të cilësuar, si amnistia e të dënuarve. Paraditja e së sotme, në mbledhjen ku marrin pjesë mbi 70 funksionarë, do të jetë e dedikuar për konkluzionet dhe detyrat, ndërsa takimi dyditor do të mbyllet me një mbledhje me dyer të mbyllura të kabinetit qeveritar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re