VALENTINA MADANI/ Opozita bllokoi dje më shumë se një orë zhvillimin e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku ishte parashikuar prezantimi i projekt buxhetit të vitit të ardhshëm nga ministri i Financave, Ervin Mete.

Pothuaj i gjithë grupi parlamentar i demokratëve, përfshirë dhe deputetët e përjashtuar, Bardhi, Nallbati, Korreshi e Noka bllokuan ministrin e Financave, Ervin Mete, duke mos e lejuar që të futej në sallën ku do të zhvillohej mbledhja.

Socialistët tentuan të ndërronin sallën, por ishte e pamundur, sepse demokratët u bënë barrikadë dhe nuk lejuan futjen e kolegëve të tyre të majtë në sallë. Disa prej tyre u futën dhe në zyrën e kryeparlamentares. Në përpjekje për të qetësuar situatën, mazhoranca e shtyu orën e mbledhjes për në orën 13:00, madje i kanë kërkuar Gazment Bardhit, që edhe pse ishte i përjashtuar, mund të merrte pjesë në Konferencën e Kryetarëve.

Deputetët e opozitës u vendosën përpara dyerve të sallës, ku do të zhvillohej takimi duke mos lejuar hyrjen e askujt, ndërsa debate me tone të larta u zhvilluan mes tyre dhe përfaqësuesve të shumicës. Socialistët përfituan nga koha kur opozitarët u larguan dhe u sistemuan në sallën e Konferencës së Kryetarëve, e ndërkohë që deputetët e opozitës u lanë jashtë sallës, ministri i Financave prezantoi projektbuxhetin.

“Projektbuxheti i vitit 2024 tejkalon për herë të parë 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara”,- tha ministri Mete.

“Rrethimin” e Gardës e çanë vetëm dy deputetë, që janë pjesë e Konferencës së Kryetarëve, Zheni Gjergji dhe Agron Gjekmarkaj, por pavarësisht replikave, ministri arriti ta përfundojë fjalën e tij. Sali Berisha premtoi se nuk do të ketë zhvillim normal të Parlamentit për sa kohë që shumica do të vazhdojë të shkelë të drejtën e tyre kushtetuese për hetim parlamentar, madje ai nuk mohon opsionin e ngujimit të deputetëve në Parlament.

“Çdo opsion është 100% i mundshëm. Ne nuk dorëzojmë Kushtetutën”,– deklaroi kreu i opozitës.

Por ndërkohë, socialistët deklarojnë se nuk do të lejojnë asnjë formë bllokimi dhe dhunë në parlament. E si hap të parë kanë bërë kallëzim penal ndaj deputetit Bledion Nallbati, i cili në seancën e së hënës goditi me grusht deputetin socialist Vullnet Sinaj, në përpjekje për ta penguar të merrte fjalën.

Në kallëzimin e firmosur nga Bledi Çuçi, Nallbati akuzohet për veprën penale të “goditjes për shkak të detyrës”, por të njëjtën gjë kanë bërë edhe demokratët, me të njëjtën akuzë ata kanë dorëzuar në SPAK një kallëzim për Vullnet Sinajn. Kryesia e Komisionit vendosi që mbledhja e Komisionit të Ekonomisë të zhvillohet në orën 16:00, në platformën virtuale “Zoom”.

Vendimi vjen pas bllokimit të punimeve të komisioneve parlamentare nga deputetët e opozitës, si shenjë protestë për përjashtimin e tyre nga Kuvendi. Socialistët u penguan për të zhvilluar punimet e këtij komisioni gjatë paradites të kësaj të mërkure, ndaj vendosën që të ndërprisnin mbledhjen deri në vendimin për ta zhvilluar atë virtualisht. Por ky vendim i paralajmëruar ka marrë përgjigjen e demokratëve, të cilët ironizojnë veprimin e kolegëve socialistë.

Sipas tyre, rregullorja parashikon që takimet të zhvillohen virtualisht vetëm në raste kur vendi shpall gjendjen e jashtëzakonshme, në raste lufte apo sëmundjesh.

“Nuk dihet nëse PS ka shpallur gjendjen e luftës apo të jashtëzakonshme, por kjo procedurë e mbledhjeve ‘online’ lejohet vetëm në ato raste”,– thuhet në reagimin e opozitës.

Komisioni i Etikës vendosi të martën përjashtimin me 10 ditë të pesë deputetëve të opozitës, pas tensioneve të shkaktuara në seancën plenare të së hënës. Bledion Nallbati, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka dhe Albana Vokshi u përjashtuan për 10 ditë nga Kuvendi.

Ndërkohë deputeti Saimir Korreshi u përjashtua me tri ditë, teksa Lefter Gështenja u vendos të mos përjashtohet. Përplasjet e djeshme pasojnë ato të tri ditëve më parë në seancën parlamentare, ku pati edhe një konflikt fizik mes deputetit demokrat Gledion Nallbati dhe atij socialist Vullnet Sina, i cili nuk u lejua të mbante diskutimin e tij. Për pasojë, ndaj 6 deputetëve të opozitës u mor masa e përjashtimit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re