Ashtu siç ishte paralajmëruar, deputetët socialist të Komisionit të Shëndetësisë kallëzuan penalisht ish-kryeministrin Sali Berisha. Padia u dorëzua në Prokurorinë e Përgjithshme për veprën penale “Përhapja e informative të rreme që ngjallin panik”. Sipas PS, Berisha ka krijuar panik dhe me lajme të rreme në “Facebook” për koronavirusin.
“Këto ditë të emergjencës kur duhet të gjithë të zbatojnë udhëzimet, vendimet dhe urdhërat e qeverisë dhe ekspertëve, më i rrezikshëm se koronavirusi është përhapja e panikut. Dhe më e ndyrë se përhapja e panikut, është përhapja e qëllimshme e panikut. Në Shqipëri këtë fushatë të turpshme po e udhëheq Sali Berisha, e pas tij “turisti” i emëruar në krye të SHQUP. Facebook-u i Sali Berishës është një makinë paniku që punon 24 orë me ligësi dhe këmbëngulje për të terrorizuar qytetarët. Sapo është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme, kallzimi penal i deputetëve të Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, për veprën penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga Neni 267 i Kodit Penal, kundër shtetasit Sali Berisha, i biri i Ram dhe Sheqere, i datëlindjes 15.10.1944 lindur në Tropojë e banues në Tiranë.”
