
Partia Socialiste mbledh sot, 2 shkurt, grupin parlamentar. Ky takim vjen një ditë para seancës plenare ku janë përfshirë një sërë projektligjesh, edhe ato për të cilat u kërkua anulimi në seancën e fundit.
Nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama.
Sa i përket seancës plenare ajo do të zhvillohet ditën e nesërme dhe jo të enjten siç ndodh tradicionalisht pasi një pjesë e madhe e ligjvënësve do të udhëtojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’iu bashkuar mëngjesit të lutjeve.
Gjithsesi sa i përket politikës, të tjera zhvillime ka sot. Pritet që në orën 13:00 të mblidhet Komisioni i Posaçëm i Reformës Territoriale, ku Partia Socialiste do të vendosë në provë gatishmërinë e opozitës për të bashkëpunuar.
Nga ana tjetër, duhet nënvizuar që Kuvendi e ka vendosur në rendin e ditës për seancën plenare të ditës së nesërme ndryshimin e formulës së funksionimit të komisioneve të posaçme.
Në rast se opozita nuk do të paraqitet ditën e sotme në Komisionin e Reformës Territoriale, atëherë ditën e nesërme Partia Socialiste parashikon që të miratojë ndryshimet që i japin asaj shumicën e anëtarësisë dhe rrjedhimisht mundësinë për t’i zhvilluar vetëm të gjitha ndryshimet që mund të bëhen në vijimësi.