Të premten e 8 dhjetorit socialistët do të mblidhen për të përcaktuar rrugën me të cilën do të kërkojnë të fitojnë një mandat të katërt qeverisës. Në intervistën për Vizion Plus, Blendi Klosi thotë se Partia Socialiste pas një dekade në pushtet do të pësojë një transformim në funksionimin e saj.

“Partia Socialsite e Shqipërisë qartazi ka filluar përgatitjet e saj për garën e vitit 2025 dhe në këtë kuadër duke shpalosur ambicien tonë për të marrë mandatin e katërt ne kemi filluar përgatitjet në çdo segment të partisë për tu mobilizuar dhe për të shkuar drejt një gare të fortë dhe fituese në 2025-ën. Kjo është surpriza që ne do të shpalosim në kongres”, tha Blendi Klosi.

Dhe për të arritur fitoren e katërt me ambicien e qartë që ajo të jetë thellë ndaj kundështarit më të fortë që është Sali Berisha, të paktën deri më tani, PS, përveç besnikëve të saj do të kërkojë që të hajë nga “torta” e elektoratit të djathtë.

“Partia Socialiste punon jo vetëm për anëtarësinë e saj, por shumë më tepër se kaq. Një nga pikat kryesore të platformës është hapja e forumeve, forume që do të përpiqen të mbledhin opinionet e të gjithë qytetit, që do të shtrihen jo vetëm te votuesit tanë por te të gjithë ata që duhet të japin kontribute në politikë”, deklaroi Klosi.

Nuk do të jetë një kongres i jashtëzakonshëm vetëm për partinë. Atë që shumica socialiste nuk po ia lejon opozitës ta bëjë përmes hetimit parlamentar, qeveria do ta bëjë sipas mënyrës së saj. Autokritika do të udhëhiqet nga kryeministri Edi Rama ku kryefjalë do të ketë drejtësinë.

“Do të jetë një kongres ku do të shpalosim edhe se çfarë kemi arritur deri më tani në fushat prioritare dhe çfarë do t’i afrojmë  në vazhdim.  Një nga kryerefromat ka qenë refoma në drejtësi dhe në kongres do të ketë një vëmendje të veçantë te rezultatet e saj. Çfarë kemi dashur të arrijmë kur e kemi realizuar, a ia kemi dalë të realizojmë ato çfare kemi pasur në projeksion për të krijuar një reformë të ndarë nga politika?”, u shpreh Klosi.

Folësve në Pallatin e Kongreseve në mbledhjen e socialistëve për ditën e rinisë që ndryshon shumë nga ajo rini që në dhjetorin e 90-ës rrëzoi diktaturën do t’i bashkohen edhe miq të PS-së nga Evropa.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re