Socialistët nuk vonojnë dhe propozojnë ndryshime ligjore për të garantuar pastërtinë e figurës së politikanëve apo të zgjedhurve në institucionet shtetërore.

 

Konkretisht mazhoranca qeverisëse kërkon që të gjithë politikanët pavarësisht se e zotërojnë një certifikatë të pastërtisë së figurës, të verifikohen nga e para për të vërtetuar nëse kanë qenë ose jo bashkëpunëtorë të ish Sigurimit të Shtetit.

 

Po aq kërkohet që në sitën e riverifikimit të të shkuarës gjatë periudhës së diktaturës të jenë edhe ata që zgjidhen apo emërohen në poste drejtuese.

 

KLOTILDA BUSHKA

DEPUTETE E PS

 

Rastet flagrante dhe shqetësuese të pasqyruara në shkresën informuese të Autoritetit, ku figura të rëndësishme të shtetit të pajisur me çertifikatën e pastërtisë së figurës në fakt rezultojnë në dokumentat e krijuara të ish-Sigurimit të Shtetit, kërkojnë një adresim dhe reagim të menjëhershëm. Transparencë e plotë për këto raste duhet të kryhet dhe pengesat apo boshllëqet në legjislacionin ekzistues duhet të adresohen me qëllim zbardhjen e të vërtetës.

 

Propozimet e Partisë Socialiste vijnë pas letrës që Autoriteti mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit i dorëzoi Kuvendit, ku sipas tij ish-presidenti Ilir Meta rezulton si ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

 

Autoriteti pretendon se rasti sipas saj i Ilir Metës nuk është e vetmi dhe për këtë arsye kërkon që të hiqet pengesa ligjore që kush zotëron certifikatën e pastërtisë nga komisionet e mëhershme të verifikohet nga e para nën dritën e të dhënave të reja.

 

Kjo, kërkon autoriteti, të jetë e detyrueshme për të gjithë ata që kandidojnë për deputetë apo për poste të tjera në administratën vendore e qendrore. Nëse rezultojnë bashkëpunëtore në ish-strukturat e diktaturës komuniste t’u ndalohet pjesëmarrja në garë.

 

KLOTILDA FERHATI

DEPUTETE E PS

Për t’u sigururuar që historia të mos përsëritet dhe arritjen e paqes sociale duhet që bashkëpunëtorët e sistemit të mëparshëm të mos të kenë mundësi të jenë pjesë e vendimarrjes i çfarëdo niveli qoftë ai.

 

Nga ana tjeter, Enkelejd Alibeaj propozon një tjetër ndryshim në ligjin për dosjet e ish Sigurimit të Shtetit. Ai kërkon hapjen e të gjitha dosjeve. Pra askush mos të pengohet nga etiketa “sekret” dhe çdo institucion shtetëror, studiues apo qytetarë i thjeshtë të ketë mundësinë për t’i lexuar ato.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re