Partia Socialiste ka rënë dakord në parim me propozimin e Partisë Demokratike për hapjen e plotë të dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit.

 

 

Anëtarja e Komisionit të Ligjeve, Ermonela Felaj tha se ka ardhur koha që të punojnë të gjithë bashkë për këtë çështje.

 

 

“Ka ardhur koha që të jemi të hapur ndaj të shkuarës duke mos lejuar më atë që zoti Alibeaj tha që mund të jenë përdorur për shantazh. Nuk është në nderin e deputetëve që të fshihen pas klauzolave të tilla. Ka ardhur koha që të jemi të gjithë bashkë për heqjen e paragrafit katër të ligjit. Ligji për autoritetin e dosjeve i është nënshtruar vetëm njëherë ndryshimit, do ta shihja të gjykonim qoftë ndryshimit të bërë nga zoti Alibeaj. Autoriteti do ta thotë vetë. (…) Dakord në parim”, tha Felaj.

 

 

Ndërkohë, Alibeaj kërkoi që ky ligj të mos shndërrohet në një luftë politike, por si mjet i nevojshme për të cilin shoqëria shqiptare ka nevojë.

 

 

‘Kemi pasur parasysh me kolegët se rrezikun që inciativa të tilla të mund të bien në kurthin politik të luftës politike. Mos e shihni në këtë mënyrë s’duhet të shndërrohet në një luftë politike, pro si një mjet i nevojshme që shoqëria shqiptare ka në raport me të shkuarën dhe historinë dhe realitetin me të ardhmen. Duhet parë vetëm në këtë mënyrë, jemi të hapur për ta parë ligjin.’ tha Alibeaj.

 

 

Ndërsa deputeti demokrat, Fatmir Mediu është shprehur kundër hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit për të ish-përndjekurit politikë. Sipas Mediut, kjo s’do ishte e drejtë për ish-të përndjekurit, pasi do iu shkaktohej një dhimbje e madhe.

 

“Të hapen këto dosjet për gjithsecilin, por në qëndrimin tonë nuk mund tu bëjmë moral të përndjekurve politikë, s’mund të kërkojmë hapjen e dosjeve të të përndjekurve politikë, ka presion, histori të tmerrshme brenda familjes. Nëse nuk u dhamë mundësinë që të rehabilitohen dhe s’ka asnjë përgjegjës, të kthehen në pronat e tyre, të mos bëjmë lodra në kurriz të atyre. Nuk ka asnjë nga ne të drejtë të diskutojë për qëndrimin e atyre njerëzve, u janë pushkatuar motrat vëllezërit, baballarët. Do ishte e padrejtë dhe e pamoralshme nga ana jonë. Duhet ta përjashtojmë për të mos i shtuar dhimbje e probleme”, tha Mediu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re