VALENTINA MADANI/ Mazhoranca dhe opozita u dakordësuan dje për të aprovuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt. Raporti i Këshillit të Mandateve caktoi të kalojë për shqyrtim në kuvend, në seancën e ditës së hënë.

Ky konsensus mes opozitës dhe mazhorancës i hap rrugën arrestimit të ish numrit dy të qeverisë. SPAK e akuzon Arben Ahmetajn si të përfshirë në aferën korruptive të inceneratorëve, duke konsumuar tre vepra penale, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe korrupsion aktiv i zyrtarëve të lartë. Mbledhja e djeshme e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt nisi me debate. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla njoftoi që çështja do të shqyrtohet në seancën e javës së ardhshme.

Nga ana tjetër, opozita është kundërpërgjigjur duke akuzuar qeverinë se po ndihmon arratisjen e ish numrit dy të kabinetit qeveritar. Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi i është drejtuar Nikollës duke i thënë se qeveria po bashkëpunon me krimin. Bardhi kërkoi që çështja të përfshihet në rendin e ditës së seancës plenare që do të mbahet të enjten, duke mos vonuar procedurat për arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.

“Po bashkëpunoni në krim, mos i jeni më shumë kohë Arben Ahmetajt që të fshihet. Boll e zvarritët çështjen. Të përfshihet në rend dite të seancës plenare të ditës së nesërme dhe të japim autorizimin Prokurorisë që të veprojë. Mos pengoni drejtësinë. Opozita e ka gati raportin, të veprojmë pa asnjë vonesë, të shqyrtojmë e miratojmë nesër”, deklaroi Bardhi. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi përgjigje për një sërë pyetjesh nga avokatët e ish zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj, gjatë mbledhjes së Këshillit të Mandateve, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për arrestimin e tij. Ai deklaroi që palës mbrojtëse nuk i duhet më shumë kohë, pasi Ahmetaj nuk është prezent në Shqipëri për të bashkëpunuar me drejtësinë.

Në të njëjtën kohë, Bardhika pyetur përfaqësuesit ligjor nëse sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka qenë prezent me Ahmetajn në udhëtime me Klodian Zoton dhe Mirel Mërtirin. “Nëse klienti juaj do ishte prezent, do bashkëpunonte dhe përballej me drejtësinë, mund të kishim qenë mirëkuptues për me shumë kohë për mbrojtje. Por klienti juaj ka ikur jashtë vendit ditën që është kërkuar arrestimi. Kritikuat prokurorinë pse e ka shtrirë hetimin duke nisur që në vitin 2004. Ky lloj hetimi i pasurisë së zyrtarëve duhet të bëhet për të gjithë politikanëve. Akuzat nuk kanë natyrë politike, por për korrupsion dhe abuzim me pushtetin. Pse jeni ju kundër kontrollit të pasurisë dhe shtrirjes se hetimit që nga 2004? Keni ju prova për ligjshmërinë e kësaj pasurie? Pse ka gënjyer Ahmetaj për raportin me Mirel Mërtirin dhe Klodian Zoton? A rezulton që në udhëtime njëlloj si Ahmetaj me këta dy persona, ka qenë edhe Damian Gjiknuri? A e konfirmoni ju këtë?”, është shprehur Bardhi.

Pala mbrojtëse theksoi se Ahmetaj ndodhet jashtë Shqipërisë për arsye familjare. Avokatët e ish zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj mohuan akuzat e ngritura ndaj klientit të tyre përmes një prononcimi për mediat, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Imunitetit, i cili shqyrtoi kërkesën e SPAK për arrestimin e ish numrit dy të qeverisë. Avokatët deklaruan se nuk ekziston asnjë pagesë e kryer ndaj Ahmetajt nga pronarët e inceneratorëve, sikundër dyshohet nga hetimet e SPAK. “Juve keni dëgjuar e përsërisni sikur janë fakte. Nuk ka fshehje të pasurisë apo akt korruptiv me inceneratorët. Jashtë vendit është larguar për çështje personale. Hera e fundit e komunikimit me Ahmetaj ishte para 5 minutash. Si do bëhet mbrojtja nuk jua themi ju. Shumë dëshmi thatë. Nuk gjej asnjë dëshmi kundra. Nuk janë të vërteta. Mos flisni pa u njohur. Mbrojtja fillon nga evidentimi i të vërtetës. Nëse e shtrembëroni që në fillim, nga e dini shumë dëshmi. Nuk ka asnjë pagesë nga pronarët e inceneratorëve”, thanë avokatët.

Lidhur me mosprezencën e Ahmetajt, përfaqësuesit e tij ligjor mohuan një arratisje të mundshme. “Çdo më thënë arratisje? Se nuk e kuptoj? Jemi në dy avokatët e tij prandaj nuk ndodhet. Nuk kam informacion nuk dua ta ndaj me ju. Ahmetaj ka filluar të përballet me drejtësinë. Është e drejta e tij nëse do të vij? Nuk kam thënë tamam që nuk gjen drejtësi në SPAK”, deklaroi Avokati i Arben Ahmetaj, Henrik Ligori. Ndërkohë, opozita kërkoi që çështja të kalojë në kuvend në seancën e radhës. “Disa nga emra janë të kallëzuar nga ne, përmendet ish ministrja Ermonela Felaj, dy ish kryetarë Fadil Nasufi dhe Baftjar Zefo, Engjëll Agacci, gjithë kjo organizatë. Pyetja jonë ka qenë pse po vonohet hetimi për këtë organizatë kriminale. Ahmetaj ka udhëtuar me Zoton dhe Mërtirin, avokatët erdhën dhe bënë politikë, kërkuan mëshirë ndaj klientit të tyre. Përgjigja jonë ishte se mëshirë për ata që abuzojnë me detyrën, që shpërdorojnë besimin e qytetarëve dhe nga të pastrehë bëhen me dy a tri vila nga afera korruptive nuk ka për të pasur nga ne”, tha Bardhi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re