Skip to content

PS: Përjashtim 6 deputetëve të PD/ Balla: Nuk do të tolerohet askush që shkel rregulloren

Gjashtë janë deputetët e radhës demokratë që priten të përjashtohen nga kuvendi me kërkesë të socialistëve. Për Elda Hotin, Sorina Kotin, Oerd Bylykbashin, Lindita Metaliaj dhe Gerta Bardelin, të gjithë mbështetës të Sali Berishës, kërkohet përjashtimi nga të gjitha komisionet dhe seancat parlamentare për 10 ditë.

 

Përjashtim bën Edmond Spaho. Për të është kërkuar 20 ditë pasi sipas socialistëve ai jo vetëm shkaktoi zhurmë duke i rënë bilbilit përgjatë gjithë seancës, por bllokoi foltoren dhe dëmtoi mikrofonin.

 

Për vendimin e grupit parlamentar të socialistëve Taulant Balla tha se e njëjta praktikë, ajo përjashtuese do të ndiqet për çdo deputet që thyen rregulloren e kuvendit.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

Ne do të tërhiqemi nga kjo qasje, nuk tërhiqemi. Çfarë duhet të bëjë kuvendi, kur unë apo kolegu im, Toni Gogu, duhet të flsinim në kuvend dhe kishim një bilbilosës që bilbilonte në veshët tanë.

 

Taulant Balla akuzoi Sali Berishën për presion ndaj drejtësisë, për vendimin që gjykata e apelit pritet të marrë në 3 mars për përkatësinë e vulës, “Rithemelimit” apo PD-së së Lulzim Bashës.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

Seancat besoj do të bllokohen deri kur Sali Berisha të vazhdojë t’i bëjë presion drejtësisë me këto qasje ndaj kuvendit apo me ato të ashtuquajtura protesta e për të mos shkuar pastaj te revolucioni i madh.

 

Ndryshe nga kryeministri Edi Rama, që është deklaruar se nuk do të ngrihet asnjë komisionin hetimor për çështjen “McConigal”, kryetari i deputetëve socialistë thotë se kërkesa e opozitës do të shqyrtohet.

 

TAULANT BALLA

 

KRYETAR I GRUPIT PARLAMENTAR, PS

 

Në momentin që do të shkojmë për ta shqyrtuar, një propozim të tillë pra për të hyrë në thelbin e çështjes në atë moment do të shohim thelbin e kërkesës.

 

Ngritja e komisioneve hetimore, përfshirë edhe atë të kërkuar nga opozita për “McConigal” është bllokuar nga Partia Socialiste. Ajo kërkon ndryshim të ligjit për ngritjen e tyre me pretendimin se duhet të reflektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ky vendim është kundërshtuar nga opozita, e cila deklaron se ligji për ngritjen e komisioneve hetimore është në fuqi dhe se mazhoranca qeverisëse po përpiqet t’i mbyllë gojën asaj.