I ftuar në “Programin e drekës” në News24, avokati dhe politikani i njohur shqiptaro-britanik, Kastriot Berberi, ka bërë një analizë të thellë të aktualitetit politik në Shqipëri. Që nga organizimi i brendshëm i Partisë Socialiste, te roli i partive të reja e deri te puna e SPAK-ut dhe rrugëtimi drejt Bashkimit Evropian, Berberi ka vënë gishtin në disa prej plagëve kryesore të sistemit politik shqiptar.

Duke u ndalur te forca kryesore politike në vend, Berberi, i cili deklaroi qasjen e tij si socialist, u shpreh se Partisë Socialiste i mungon komunikimi dhe vendimmarrja nga baza.

“PS ka bërë shumë, por ka shumë për të bërë. Në këndvështrimin tim mungon përfshirja e organizatave bazë të PS në politikbërjen e politikave qeverisëse. Në Partinë Laburiste në Britani, baza janë ata që japin mendime dhe ekspertizën e tyre, kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre dhe ne raportojmë tek baza. Kjo nuk ekziston në PS. Këtu qeveriset nga lart-poshtë. Unë si socialist do e bëja PS që të qeverisej nga poshtë-lart. Kjo i ka munguar historikisht PS-së dhe të gjitha partive në Shqipëri,” u shpreh ai, duke shtuar se asnjë parti në vend nuk është plotësisht demokratike dhe se shoqëria shqiptare mbetet ende e frikësuar, duke vendosur interesin personal para atij publik.

Lidhur me lëvizjet e fundit qytetare dhe tubimet masive në kryeqytet, avokati i vlerësoi ato si një tregues civilizimi, por theksoi se po shfrytëzohen për kapital politik nga forcat e reja apo të vogla.

“Protesta është gjë e mrekullueshme, e thonë të gjithë. Por kjo protestë solli diçka të bukur dhe evropiane, perëndimore dhe civilizuese. Por kjo po përdoret me të drejtë nga partitë e vogla. Edhe unë të isha kryetar si ata do përfitoja politikisht. Do doja të rrëzoja çdo qeveri që do ishte. Nuk i gjykoj pse po përdorin protestën, por qëllimi i tyre është rrëzimi i qeverisë,” tha Berberi.

Sipas Berberit, strukturat e reja të drejtësisë kanë filluar të japin rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe thyerjen e mitit të pandëshkueshmërisë, ndonëse rruga mbetet ende e gjatë.

“SPAK dhe organet e drejtësisë i kanë dhënë një shtytje. Është faktor domethënës. Rrisin besimin e qytetarëve, rritet numri i ndëshkimeve për pandëshkueshmërinë dhe ka aftësi parandaluese. Nëse një politikan në të ardhmen do mendojë të shkelë ligjin, do mendojë pasojat. Shoqëria duhet të investojë ende në sistemin e drejtësisë. Është shumë pak! Institucionet e drejtësisë, unë nuk kam prova, bëri me dije ai, por perceptimi është që ka ndikim politik”, u shpreh ai.

Ambicien e qeverisë për të mbyllur kapitujt me BE-në brenda vitit 2027 avokati e cilësoi si mjaft të madhe, por theksoi se rrethanat gjeopolitike po luajnë në favor të Shqipërisë.

“Nëse PS do anëtarësonte Shqipërinë në BE në vitin 2030 do ishte arritje e madhe, pavarësisht se standardi i jetesës në Shqipëri është shumë larg standardit evropian. Mendimi i evropianëve është që të përshpejtohet procesi i pranimit të Shqipërisë. Ne duhet të përfitojmë. Ata po mbyllin syrin dhe veshin për standardet tona për arsye gjeopolitike. Këtë e pranon BE, e thotë në uebsajtin e saj. Shqipëria është bërë partneri më i rëndësishëm në Ballkan,” deklaroi avokati, duke shtuar se rëndësi ka integrimi i popullit dhe jo se kush është në pushtet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re