Partia Socialiste ka reaguar zyrtarisht për dëshmitarin “X” të PD-së, duke e konsideruar si një shantazh mafioz.

Numri dy i PS-së, Taulant Balla deklaroi se e gjithë skena është e pavërtetë dhe nuk ka asnjë element që mund të inkriminojë Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

“Ky është një inskenim mafioz. PS do t’i shkojë deri në fund këtij shantazhi kundër shtetit, duke kërkuar hetim të plotë penal ndaj këtij mashtrimi të prodhuar në zyrat e PD. Një skenë tepër e rënduar kriminale, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë, që pranon publikisht se është përdorur nga PD në këtë inskenim, duhet të përballet menjëherë me drejtësinë, bashkë me regjisorin e tij.

Ky person duhet të merret menjëherë i pandehur, ose meqë PD pretendon dhe e konsideron dëshmitarin e vet, ai duhet të merret në mbrojtje nga Krimet e Rënda. E kanë paguar, madje kanë tentuar ta largojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Ky është një sulm i rrezikshëm kund institucioneve të shtetit. Prokuroria duhet të veprojë sa më shpejt dhe me sa më shumë vendosmëri për t’i shkuar deri në fund çështjes. Jemi përpara një skandali tepër të madh”, tha Balla. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re