Qëndrimin përfundimtar për ndryshimin ose jo të hartës territoriale socialistët do ta vendosin të hënën.

 

Deri më tani mazhoranca qeverisëse është deklaruar se numri i bashkive nuk do të ndryshojë.

 

Ai do të mbetet 61 sipas ndarjes territoriale të bërë në vitin 2014. Nëse socialistët vendosin të rrisin numrin e tyre, vendimmarrja do të jetë reflektim i takimit larg mediave mes dy kryetarëve të grupeve parlamentare, atij socialist Taulant Balla, dhe demokrat Enkelejd Alibeaj.

 

Vendimi nëse në lokalet e 2023-it pushteti vendor do të jetë i shpërndarë në 61 bashki dhe 12 qarqe apo me një hartë të re territoriale do të merret në seancën parlamentare të së hënës.

 

Për katër orë do të diskutohet për dy raportet e dala nga komisioni i posaçëm për reformën territoriale që u mbyll pa asnjë rezultat.

 

Socialistët i mbeten besnik ndarjes territoriale të bojkotuar nga opozita tetë vite më parë, me 61 bashki.

 

Ndërsa demokratët e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj këmbëngulin në një shpërndarje të re të pushtetit lokal, me 34 bashki më shumë, pra në total 95.

 

Do t’i takojë seancës së të hënës nëse mes mazhorancës dhe asaj pjese të Partisë Demokratike të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj do të arrihet ose jo një marrëveshje në minutat e fundit, siç ndodhi për hapjen e dosjeve të ish sigurimit të shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re