Dhoma e Përfaqësuesve në parlamentin holandez miratoi një rezolutë që i bën thirrje qeverisë së saj të avokojë në Bruksel për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për Serbinë.

Propozimi është dorëzuar për shkak se, siç theksojnë ata, Serbia nuk është në harmoni me politikën e vizave dhe të jashtme të Bashkimit Evropian. Raportohet se propozimi ka pasur mbështetjen e përfaqësuesve të qeverisë dhe opozitës.

Kërkesa është paraqitur nga përfaqësuesit e dy partive më të mëdha të koalicionit qeverisës, Jeroen van Wijngaarden nga Partia Popullore për Liri dhe Demokraci dhe Sjoerd Sjoerdsma nga Demokrat 66. Por, vetë propozimi është iniciuar nga një përfaqësues i opozitës.

Përfaqësuesi Jeroen van Wijngaarden u mburr në Tëitter se propozimi i tij u mbështet nga dhoma e ulët e parlamentit holandez.

“Dhoma e Deputetëve mbështet propozimin tonë për një qasje më të rreptë ndaj Serbisë nëse presidenti Vuçiç nuk mbështet sanksionet kundër Rusisë. Ndërprerja e procesit të pranimit të Serbisë në BE mund të jetë një opsion. Ne nuk do të hezitojmë ta përdorim atë,” tha Van Wijngaarden.

Në Holandë, parlamenti ka një mandat për t’i dhënë udhëzime qeverisë për zhvillimin e politikës së jashtme. Për shembull, kur Holanda bllokoi hapjen e negociatave me Shqipërinë, nisma erdhi nga parlamenti.

Rezoluta e parlamentit holandez bën thirrje për pezullimin e regjimit pa viza për Serbinë me anë të mekanizmit të frenimit emergjent më së voni deri në mars të vitit 2023, siç thuhet “duke qenë se Serbia po dëmton gjithnjë e më shumë politikën e jashtme të BE-së për shkak të marrëdhënieve të mira me Rusinë dhe mosrespektimi i sanksioneve të BE-së, por edhe për shkak të mospërputhjes së regjimit të vizave, prandaj një numër i madh i migrantëve të paligjshëm nga Serbia hynë në BE në vitin 2022”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re