Nga: Ilir Topi

Kur me 16 qershor, lexova se pas asaj që kish ndodhur në Bashkinë e Kukësit, do të organizoheshin zgjedhje sërish, kërkoj me nxitim në listën e kontakteve, emrin e mikut tim Ali Hallaçi dhe e telefonoj: “Ali, ti duhet të jesh kryetari i ri i Bashkisë!”. Aliu, me modestinë, integritetin dhe mirësinë që e karakterizon, nuk e kish mendjen fare tek fjalët e mia por shfaqi shqetësimin e madh për atë që kish ndodhur, se si Kukësi i bukur me burra e gra me nder, qe bërë burimi i një lajmi aspak të këndshëm.
“Ali! “- i thashë, – “Janë kohë të vështira për kuksianët! Kohë të paqarta… E keqja ka dal hapur dhe ka bërë bujë! Në çaste të tilla, duhet një busull morale për të drejtuar Kukësin në rrugën e duhur! Nuk njoh njeri më të përshatshëm se ti, për të kryer këtë detyrë të vështirë!”.
E kush më shumë se një teolog, njeh rreziqet e së keqes dhe forcën pakufij të së mirës? Aliu i njeh në nivel filozofik por edhe praktik. Një qytetar model, një bashkëshort i devotshëm dhe baba i përkushtuar. Një njeri i ndershëm, që i do njerëzit dhe i kupton hallet e tyre. E kundërta e gjithçkaje që qytetarët urrejnë nga politika.
Jam nga ata që besoj se politika nuk duhet të sundohet nga pragmatizmi por nga morali. Morali shtyn politikanët të kenë përparësi të mirën e përbashkët mbi interesat personale dhe partiake.
Përtej etikes edhe morales, Aliu ka tashmë një eksperiencë mjaft të mirë edhe si zyrtar, është Prefekt i Kukësit. Prandaj pozicioni i kryetarit të bashkisë, do të vinte natyrshëm për të, pra jo si një njeri i katapultuar nga hiçi e që do të donte kohë të kuptonte se si duhet bërë detyra dhe se çfarë nevojash kanë njerëzit e zonës.
Ata që më njohin, e dinë se besimin tek politika e politikanët e kam mjaft të dobët por nuk ka humbur ende besimin tek njerëzit si Aliu… Me librat fetarë në zemër, e në dorë kushtetutën, Aliu jam i bindur se do të bëjë shumë për Kukësin nga i cili nuk do të vijnë më lajme të turpshme por do të kthehet në një model për tu ndjekur nga Bashkitë e tjera të vendit.
Po ja them sërish në këtë shkrim, atë që i thashë në telefon atë ditë: Ali! Ti duhet të jesh kryetari i Bashkisë Kukës! Kanë nevojë për ty kuksianët por kemi nevojë edhe ne të tjerët për modele pozitive si ti!

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re